Hoxhaj vlerëson përkrahjen e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën
Prishtinë, 17 shtator - Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur të mërkurën në takim drejtorin për Çështje të Ballkanit Perëndimor dhe Zgjerim të BE-së në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Owen Jenkins.
Ministri Hoxhaj e njoftoi z. Jenkins për progresin që po arrihet në Kosovë, si dhe për forcimin e vazhdueshëm të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Dy bashkëbiseduesit u pajtuan për rrugën përpara të Kosovës në zbatimin e përgjegjësive ndërkombëtare, si dhe në ecurinë e nënshkrimit formal të MSA-së dhe progresin në liberalizimin e vizave.
Ministri Hoxhaj e falënderoi z. Jenkins për përkrahjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar po i jep Kosovës në rrafshin e njohjeve ndërkombëtare dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.
Ministri Hoxhaj dhe drejtori Jenkins po ashtu vlerësuan bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, duke shprehur vullnetin e dyanshëm për thellimin e mëtutjeshëm të relacioneve.