Hoxhaj vlerëson përkrahjen e Luksemburgut për Kosovën
Prishtinë, 3 tetor - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar një takim me të ngarkuarin me punë në Ambasadën e Luksemburgut në Kosovë, Pierre Weber.
Ministri Hoxhaj e ka njoftuar z. Weber për proceset në Kosovë, forcimin e vazhdueshëm të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar.
Hoxhaj ka veçuar angazhimin e fuqishëm të Qeverisë së Kosovës për përmbushjen e agjendës integruese evropiane.
Ministri i Jashtëm i Kosovës ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e madhe që po jep Luksemburgu, duke kërkuar mbështetje të mëtejshme për proceset eurointegruese.
I ngarkuari me punë në Ambasadën e Luksemburgut në Kosovë, Pierre Weber, ka vlerësuar progresin që po arrihet në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e mëtutjeshme të shtetit të tij për Republikën e Kosovës.
Ministri Hoxhaj dhe z. Weber kanë biseduar edhe për marrëdhëniet shumë të mira bilaterale ndërmjet dy shteteve, duke shprehur vullnetin e dyanshëm për fuqizimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve në shumë fusha ndërmjet Luksemburgut dhe Kosovës.