Hoxhaj vlerëson përkrahjen e Italisë për Kosovën
Prishtinë, 16 shtator - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur sot në një takim Carlo Lo Cascio, drejtor për Ballkanin në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë, i cili shoqërohej nga ambasadori i Republikës së Italisë në Kosovë, Michael Giffoni.
Gjatë takimit, ministri Hoxhaj ka vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy shteteve, duke shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e mëtutjeshëm të shkëmbimeve bilaterale me Italinë, me theks të veçantë në fushën e ekonomisë dhe integrimit euroatlantik.
Duke folur për progresin në Kosovë, Hoxhaj njoftoi drejtorin Lo Cascio dhe ambasadorin italian për konsolidimin e vazhdueshëm të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Hoxhaj po ashtu foli për proceset aktuale në Kosovë.
Zgjedhjet e 3 Nëntorit përbëjnë një pikëtakim të rëndësishëm për dy momente, njëri që përfundon e që lidhet me fundin e ekzistimit të strukturave paralele, dhe njërit që nisë e që lidhet me hapjen e një etape të plotë legjitime dhe integruese në Kosovë, tha ministri i Jashtëm i Kosovës.
Ministri Hoxhaj po ashtu vlerësoi rëndësinë e përkrahjes së Italisë për proceset e gjithëmbarshme në Kosovë.
Drejtori për Ballkanin në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë, Carlo Lo Cascio, vlerësoi progresin në Kosovë, duke shprehur përkushtimin e Italisë për të vazhduar përkrahjen për Kosovën në proceset eurointegruese.