Hoxhaj vlerëson përkrahjen e Francës për Kosovën
Prishtinë, 19 mars - Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur sot në takim François Pugeaut, zëvendësdrejtor për rajonin ballkanik të Evropës në MPJ të Francës, i cili shoqërohej nga ambasadorja e Francës në Kosovë, Maryse Daviet.
Ministri Hoxhaj i njoftoi për progresin që po arrihet në Kosovë, fuqizimin e gjithanshëm të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar.
Hoxhaj ka veçuar angazhimin e fuqishëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmbushjen e agjendës integruese evropiane, duke theksuar fokusimin e diplomacisë kosovare në agjendën multilaterale, gjatë këtij viti.
Zëvendësdrejtori për rajonin ballkanik të Evropës në MPJ të Francës, François Pugeaut, vlerësoi progresin që po arrihet në Kosovë, duke konfirmuar mbështetjen e Francës për perspektivën evropiane të Kosovës, vazhdimin e reformave si dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizatat rajonale e ndërkombëtare.
Ministri Hoxhaj dhe z. Pugeaut po ashtu vlerësuan lartë marrëdhëniet shumë të mira ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Francës, duke theksuar vullnetin për avancimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë takimit ka shprehur mirënjohjen e qytetarëve dhe Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e shtetit francez për Kosovën.