Hoxhaj vlerëson përkrahjen e EBA-së për Kosovën
Prishtinë, 7 shtator - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan.
Gjatë bisedës, ministri Hoxhaj e ka njoftuar homologun e Emirateve për progresin në Kosovë dhe fuqizimin e mëtutjeshëm të shtetësisë e subjektivitetit ndërkombëtar.
Hoxhaj e falënderoi ministrin Abdullah bin Zayed për përkrahjen e Emirateve të Bashkuara Arabe për Kosovën.
Ministri i Punëve të Jashtme i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan, vlerësoi progresin në Kosovë, duke shprehur mbështetjen e mëtutjeshme të shtetit të tij për Republikën e Kosovës.
Ministri Enver Hoxhaj dhe ministri Abdullah bin Zayed biseduan edhe për thellimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.