Hoxhaj vlerëson kontributin e Hungarisë në shtetndërtimin e Kosovës
Prishtinë, 24 qershor Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, priti sot në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë Laszlo Markusz dhe profesorin e së drejtës ndërkombëtare nga Universiteti ELTE në Hungari, Pal Sonnevend.
Ministri Hoxhaj me këtë rast iu ka shprehur mirënjohje përfaqësuesve të shtetit hungarez për mbështetjen që Hungaria në vazhdimësi po i ofron Republikës së Kosovës, nëpër të gjitha proceset që po kalon, duke ndihmuar shtetndërtimin e saj.
Hoxhaj dhe profesori Sonnevend shkëmbyen pikëpamjet për një numër çështjesh që kanë të bëjnë me avancimin e Kosovës në sferën multilaterale.
Në këtë këndvështrim, profesori Sonnevend ka mbajtur një ligjëratë në ambientet e MPJ-së për zyrtarë të institucionit dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Temë e ligjëratës ishte Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, procedurat, sfidat dhe mundësitë, e bashkë organizuar nga Akademia Diplomatike e Kosovës e MPJ-së, Departamenti për Organizata Ndërkombëtare në MPJ dhe Ambasada e Hungarisë në Kosovë.