19 Janar 2025

Hoxhaj viziton Togon, njohja e Kosovës afër

Lome, 20 janar - Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, pas një jave qëndrimi në Evropë ka vazhduar turneun diplomatik në kontinentin e Afrikës, ku ka vizituar shtetin e Togos në përpjekje për të siguruar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ky vend.

Në kryeqytetin Lome, ministri Hoxhaj ka takuar homologun e tij, Robert Dussey, të cilit i ka dorëzuar edhe kërkesën zyrtare për njohjen e pavarësisë si dhe e ka njoftuar për të arriturat e Kosovës në vitet e fundit. Temë diskutimi ndërmjet dy ministrave kanë qenë edhe çështjet bilaterale veçmas mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve pas njohjes së Kosovës nga ana e Togos.

Pas takimit, shefi i diplomacisë kosovare është shprehur optimist për njohjen e shpejt të Kosovës jo vetëm nga ana e Togos, por edhe e vendeve të tjera afrikane.

“Kjo është vizita ime e parë në Togo edhe pse me këtë shtet kam pas kontakte edhe më herët. Mund të them që takimi ka qenë i shkëlqyeshëm dhe çështja e njohjes së Kosovës është çështje e kohës. Ministrit ia dorëzova kërkesën zyrtare që shteti i tij ta njeh Republikën e Kosovës si dhe i ofrova një shpjegim të qartë pse Togo nuk duhet ta shtyjë vendimin për njohjen e Kosovës dhe se si në një të ardhme të afërt ta merr një vendim të tillë. Besoj që do të kemi lajme pozitive nga Togo dhe që gjatë javëve të ardhshme do të ketë lajme pozitive nga kontinenti afrikan sa i përket njohjes së Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Nga ana e tij, ministri i Togos, Dussey u shpreh i kënaqur me takimin duke thënë se njohja e Kosovës është në agjendë nga ana e vendit të tij.

“Jemi të lumtur që kemi pritur sot në Lome delegacionin tuaj dhe shkëlqesinë e tij. Kemi diskutuar për marrëdhëniet tona bilaterale, posaçërisht mundësinë e njohjes së Kosovës nga ana e Togos. Ne u pajtuam së bashku për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit dhe marrëdhëniet tona bilaterale. Jam i kënaqur me bisedat tona. Mendoj se kemi shumë për të bërë me vendin tuaj dhe ne së bashku do t’i shqyrtojmë mundësitë e bashkëpunimit”, ka thënë Dussey.

Ministri Hoxhaj po qëndron në Togo pas vizitave në Irlandë, Francë, Andorrë dhe Monako.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)