19 Maj 2024

Hoxhaj: Viti 2012, vit i fuqizimit ndërkombëtar të Kosovës

Prishtinë, 29 dhjetor - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka mbajtur konferencën përmbyllëse për vitin 2012, si dhe ka organizuar një pritje për gazetarët.

Gjatë konferencës, ministri Hoxhaj ka prezantuar të arriturat dhe sfidat kryesore të diplomacisë kosovare gjatë këtij viti.

Hoxhaj vlerësoi se viti 2012 ishte vit i fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, në të gjitha aspektet.

“Viti 2012, pas vitit 2008, kur ne e shpallëm së bashku Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, ka qenë ndër vitet më të suksesshme që ka pas Republika e Kosovës. Gjatë këtij viti, ne si Ministri e Jashtme kemi pas një agjendë të matshme, precize kohore, një agjendë të saktë javore, mujore e vjetore dhe në bazë të kësaj agjende ne kemi bërë përpjekje maksimale që gjatë tërë vitit të prezantojmë interesin shtetëror të Republikës së Kosovës, t’i prezantojmë interesat  tona politike, ekonomike dhe kulturore në çdo pjesë të botës dhe natyrisht t’i përfaqësojmë edhe interesat e qytetarëve të Kosovës”, tha Hoxhaj.

Ai fillimisht prezantoi të arriturat e diplomacisë kosovare në procesin e njohjeve, duke theksuar se gjatë këtij viti Kosovën e kanë njohur 13 shtete të botës, apo më shumë sesa një njohje për çdo muaj.

Në këtë pikë, Hoxhaj ka theksuar angazhimin maksimal në këtë proces, duke falënderuar edhe shtetet partnere të Kosovës, për ndihmën e madhe që kanë ofruar.

Ai po ashtu prezantoi një bilanc të aktiviteteve dhe vizitave që janë zhvilluar, duke bërë të ditur se gjatë këtij viti janë zhvilluar 44 vizita, apo nga katër vizita në muaj.

Hoxhaj vlerësoi se këto vizita kanë pasur efekte të rëndësishme në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar, avancimin e vazhdueshëm të procesit të njohjeve si dhe fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale të Republikës së Kosovës me shtete e ndryshme të botës.

Ministri Hoxhaj po ashtu bëri të ditur se Republika e Kosovës gjatë këtij viti ka lidhur rreth 30
marrëveshje bilaterale me shtetet e ndryshme duke avancuar bashkëpunimin me shtetet partnere.

Lidhur me diplomacinë multilaterale, Hoxhaj tha se gjatë këtij viti, Republika e Kosovës është anëtarësuar në 11 organizata ndërkombëtare rajonale dhe se është avancuar fuqishëm agjenda integruese e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Në këtë kontekst, ai ka veçuar anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

“Gjatë vitit 2012 Republika e Kosovës ka marrë pjesë edhe në nëntë konferenca multilaterale, pjesëmarrja në të cilat ka pasur rezultate të rëndësishme për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”, tha Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm i Kosovës ka folur edhe për gjashtë konferencat ndërkombëtare të organizuara në Kosovë nga MPJ gjatë këtij viti, duke theksuar rolin shumë të rëndësishëm dhe rezultatet pozitive që kanë sjellë për Republikën e Kosovës në forcimin e imazhit dhe bashkëpunimit bilateral.

Lidhur me marrëdhëniet diplomatike që ka vendosur me 47 vende të botës, Hoxhaj bëri të ditur se iu janë dërguar shkresa për të vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, të gjitha shteteve të tjera të cilat tashmë kanë njohur shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.

Ai ka folur edhe për rezultatet e fuqishme të arritura në diplomacinë ekonomike, duke përmendur shtatë konferencat për promovimin e investimeve të zhvilluara në vende të ndryshme të Evropës dhe më gjerë.

Hoxhaj theksoi edhe fuqizimin dhe shtrirjen e rrjetit diplomatik të Kosovës, hapjen e Ambasadës në Australi, hapjen e konsullatave të përgjithshme në Stamboll, Gjenevë dhe Strasburg, emërimin e konsujve të nderit dhe shtimi i mbulimit të vendeve përmes ambasadorëve jo-rezident.

Ai shpalosi edhe rezultatet e arritura në diplomacinë publike, duke veçuar strategjinë për diplomacinë digjitale, e vlerësuar shumë lartë edhe nga mediet ndërkombëtare.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)