Hoxhaj uron senatorin Kerry
Në letër, ministri Hoxhaj ka shprehur vlerësimet më të larta që populli dhe Qeveria e Republikës së Kosovës kanë për personalitetin e senatorit Kerry.
Bazuar në vlerat që i bashkojnë dy vendet tona dhe angazhimin tonë të përbashkët për paqe, liri dhe siguri, Republika e Kosovës i gëzohet nominimit Tuaj për pozitën e sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, thotë Hoxhaj, duke shtuar se senatori Kerry është një personalitet me eksperiencë të gjatë dhe një përkrahës i aspiratave dhe përpjekjeve të popullit të Republikës së Kosovës.
Ministri i Jashtëm i Kosovës shpreh mirënjohje për kontributin dhe përkrahjen e madhe që senatori Kerry ka dhënë për Kosovën në proceset e deritashme.
Hoxhaj në letër po ashtu thotë se Qeveria e Republikës së Kosovës do të ketë nderin dhe kënaqësinë që të punojë me senatorin Kerry për avancimin e paqes, sigurisë, stabilitetit si dhe proceseve integruese euroatlantike.
Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për konsolidimin dhe fuqizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve speciale, të partneritetit strategjik dhe të miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thotë ministri Hoxhaj, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi ndërmjet dy popujve dhe dy shteteve do të arrijë nivele gjithnjë e më të larta.