Hoxhaj uron Irlandën
Ne emër të qytetarëve dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, ministri Hoxhaj, ka shprehur urimet dhe bindjen e plotë se në gjashtë muajt e ardhshëm Presidenca Irlandeze do të kontribuojë fuqishëm në përkushtimin e Bashkimit Evropian drejt rimëkëmbjes, me qëllim të sigurimit të stabilitetit, krijimit të vendeve të punës dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike.
Ne ndajmë vlera të njëjta fondamentale rreth zgjerimit të BE-së. Ky proces strategjik ka ndihmuar për tejkalimin e trashëgimisë komuniste duke unifikuar Evropën Qendrore dhe Lindore me Evropën Perëndimore, pas dekadash të ndarjes ideologjike artificiale, drejt një synimi të përbashkët evropian.
Në këtë kontekst, ne jemi mirënjohës që Irlanda do të mbështesë fuqishëm anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, ka thënë Hoxhaj.
Ministri i Jashtëm i Kosovës në telegram ka theksuar po ashtu se si një shtet potencial kandidat, me përkrahjen më të gjerë të opinionit të brendshëm, në rajon, rreth integrimit në BE, Republika e Kosovës është e vendosur në orientimet e saj strategjike për avancimin e rrugës së saj evropiane.
Hoxhaj po ashtu ka thënë se vendosja e marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Evropian e shoqëruar me progresin e mëtutjeshëm në procesin e liberalizimit të vizave, mbesin prioritete të larta të Kosovës dhe se fillimi i dialogut të strukturuar për sundimin e ligjit ka arritur një momentum të ri në kontekst të marrëdhënieve të Kosovës me Bashkimin Evropian.
Të gjitha këto zhvillime domethënëse ofrojnë një bazë të mirë për gjashtë muajt e parë të vitit 2013.
Ne besojmë se Irlanda do të ketë një mundësi të veçantë për të vazhduar mbështetjen e saj të fuqishme për aspiratat tona drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ka thënë ministri Hoxhaj, duke shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e partneritetit dhe bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Irlandës.