04 Maj 2024

Hoxhaj uron homologun francez Fabius në Ditën e Bastijës

Prishtinë, 14 korrik -  Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes një telegrami i ka uruar homologut francez, Laurent Fabius, 14 korrikun, Ditën Kombëtare Franceze, e njohur ndryshe si Dita e Bastijës.

Në letër, ministri Hoxhaj thekson se Dita e Bastijës shënon lindjen e vlerave të reja të njerëzimit, që e bënë Francën një shtet të rëndësishëm duke respektuar dhe promovuar Lirinë, Barazinë dhe Vëllazërinë (Liberté, égalité, fraternité).

“Që atëherë shpirti i vlerave të reja ka inspiruar kombe dhe shtete përgjatë shekujve për liri dhe barazi. Falë këtyre vlerave, Franca ka dhënë kontribut thelbësor në shtetësinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në telegramin e Hoxhajt.

Ministri i Jashtëm i Kosovës në letër po ashtu thekson se Republika e Kosovës dhe Republika Franceze gëzojnë marrëdhënie të admirueshme.

“Vendi juaj e ka përkrahur Kosovën në të gjitha fazat, që nga fitimi i pavarësisë deri në bërjen shtet solid dhe funksional. Padyshim, ne llogarisim në bashkëpunim të mëtutjeshëm pasi që kemi hyrë në një fazë të re të integrimeve në Bashkimin Evropian”, thotë Hoxhaj.

Ai po ashtu thekson se ndërkohë që po i forcon institucionet demokratike të Kosovës, ekonominë dhe sundimin e ligjit, populli i Kosovës i mbetet mirënjohës Francës për mbështetjen aktive.

“Prandaj, raportet ndërmjet dy vendeve tona janë të shenjta. Ne besojmë se lidhjet miqësore dhe bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë do të thellohen më tutje”, ka thënë ministri Hoxhaj, duke i uruar popullit francez festime të gëzuara me paqe dhe prosperitet në vitet në vijim.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)