Hoxhaj udhëton në Serbi
Prishtinë, 22 tetor - Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka udhëtuar për në Serbi ku pritet të marrë pjesë në Konferencën e Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, në kapacitete të barabarta me shtetet e tjera.
Si vazhdimësi e procesit të Berlinit, në këtë konferencë pritet të diskutohet për bashkëpunimin rajonal dhe qeverisjen e mirë ekonomike.
Për më shumë, ju lutemi gjeni deklaratën e ministrit Enver Hoxhaj përkitazi me pjesëmarrjen e tij në konferencën ministrore në Beograd.
Vizita ime në Serbi është vizita e parë e një ministri të jashtëm të Republikës së Kosovës. Qëllimi i kësaj vizite është që të marrë pjesë në një konferencë në nivel të ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku ne do të diskutojmë për çështjet e bashkëpunimit rajonal dhe të bashkëpunimit ekonomik.\"
\"Për më tepër, kjo vizitë flet për atë që procesi i normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë si dy shtete sovrane dhe të pavarura është në një fazë të rëndësishme të tij dhe se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për vazhdimin e dialogut deri në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërshtetërore në mes të vendeve tona.