Hoxhaj - Topi: Marrëdhëniet Kosovë - Shqipëri model për rajonin
Prishtinë, 14 janar - Gjatë vizitës zyrtare dy ditore në Tiranë, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, u takua me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi.
Presidenti Topi, vlerësoi lart qëndrimin dhe punën që kanë bërë institucionet e Kosovës, gjatë kësaj periudhe, në drejtim të konsolidimit të shtetit të pavarur.
Topi veçoi karakterin strategjik të marrëdhënieve të Shqipërisë me Kosovën, çka synon shndërrimin e tyre në marrëdhënie model në rajon, në përputhje me aspiratat e përbashkëta për tu integruar në institucionet euroatlantike.
Presidenti i Shqipërisë, ritheksoi mbështetjen maksimale të shtetit shqiptar si për njohjet e mëtejshme të Kosovës, ashtu edhe për ofrimin e përvojës në proceset integruese.
Topi e siguroi Ministrin Hoxhaj për mbështetjen e plotë tek partnerët ndërkombëtarë për realizimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Lidhur me situatën në veri të Kosovës, Presidenti Topi tha se shteti shqiptar ka dënuar ashpër dhunën e strukturave paralele serbe në veri të Kosovës duke kërkuar dhënien fund menjëherë të mbështetjes dhe financimit të këtyre strukturave që cenojnë stabilitetin dhe paqen në rajon. Ne mbështesim bisedimet Kosovë-Serbi për çështje teknike dhe praktike, si dy shtete të pavarura dhe sovrane, theksoi Bamir Topi.
Presidenti Topi dhe Ministri i Jashtëm Hoxhaj ndanë pikëpamje të përbashkëta edhe për domosdoshmërinë e thellimit të marrëdhënieve institucionale, politike dhe ekonomike mes dy vendeve.
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, e falënderoi Presidentin Topi për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën dhe qytetarët e saj.
Hoxhaj e informoi Kreun e Shtetit shqiptar për strategjinë dhe objektivat e Republikës së Kosovës për rritjen e numrit të njohjeve të reja dhe kurorëzimin me sukses të integrimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare dhe Bashkimin Evropian si dhe për zbatimin përfundimtar të Planit Ahtisaari.
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë qëndrimit në Shqipëri, është takuar edhe me përfaqësues të tjerë të jetës politike dhe akademike në Tiranë.
Një takim të veçantë, Ministri Hoxhaj e ka zhvilluar edhe me Kryetarin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama.
Lideri i opozitës shqiptare, pasi ka vlerësuar lartë të arriturat në Kosovë, ka thënë se politika e Shqipërisë, është plotësisht unike në raport me zhvillimet në Kosovë, duke shprehur përkrahjen maksimale të PS-së, për avancimin e proceseve shtetndërtuese dhe integruese të Republikës së Kosovës.