Hoxhaj telegram në 13 vjetorin e sulmeve terroriste në SHBA
Prishtinë, 11 shtator - Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, në 13 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i ka dërguar një telegram sekretarit amerikan të Shtetit të SHBA-ve, John Kerry.
Në telegram, ministri Hoxhaj ka rishprehur solidaritetin e popullit të Kosovës për viktimat dhe familjet e të gjithë njerëzve që pësuan në sulmet terroriste të 11 Shtatorit.
Në emrin tim, të Qeverisë dhe popullit të Kosovës pranoni solidaritetin dhe mbështetjen e palëkundur për popullin dhe administratën amerikane, në përkujtimin e viktimave të terrorizmit, por edhe në vazhdimin e angazhimeve për eliminimin e kërcënimeve të tilla kudo në botë, shkruan në telegram, Hoxhaj.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në telegram ka rikonfirmuar vullnetin e palëkundur të Republikës së Kosovës për përmbushjen e angazhimeve të saj përkrah shteteve aleate demokratike për të kontribuuar në luftën kundër terrorizmit, për të siguruar lirinë, demokracinë dhe paqen në botë.