Hoxhaj takon deputeten gjermane Marieluise Beck
Prishtinë, 12 qershor - Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka takuar sot anëtaren e Komisionit për Politikë të Jashtme të Bundestagut gjerman, Marieluise Beck, të cilën e ka informuar për zhvillimet në Kosovë, e veçmas ecurinë e procesit integrues të Kosovës dhe MSA-në.
Hoxhaj e vlerësoi lartë angazhimin e shtetit gjerman dhe individual të saj për mbështetjen e Kosovës në rrugën e shtetndërtimit dhe avancimit të proceseve demokratike në Kosovë.
Sot, takova në Prishtinë një mike të Kosovës dhe timen e cila ka kontribuar shumë për vendin tonë veçmas në rrugën e forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar dhe fuqizimit të shtetësisë. E falënderova për mbështetjen e Gjermanisë, të Bundestagut dhe të saj personalisht për Kosovën duke uruar që kjo të vazhdoj edhe në të ardhmen, ka thënë Hoxhaj, pas takimit.
Kryediplomati kosovar e njoftoi deputeten edhe për zhvillimet e përgjithshme politike në Kosovë dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës, veçmas MSA-në.
Nga ana e saj, deputetja Beck ofroi mbështetjen e saj të mëtutjeshme për Kosovën dhe avancimin e agjendës integruese rajonale e evropiane.