Hoxhaj takon ambasadorët e vendeve të BE-së në Kosovë
Prishtinë, 10 shtator - Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, është pritur nga ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian në Kosovë, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet politike në vend.
Në fjalën e tij, Hoxhaj i ka informuar ambasadorët evropianë në detaje për zhvillimet politike në muajt e fundit, veçmas për Konferencën e Berlinit, procesin euro-integrues të Kosovës duke u ndalur në MSA-në dhe insistimin për tu nënshkruar gjatë Presidencës italiane të BE-së.
Ministri Hoxhaj ka thënë se Konferenca e Berlinit shënon një etapë të re në raportet BE-Ballkani Perëndimor dhe një shembull se si duhet trajtuar Kosova si shtet i pavarur dhe i barabartë me vendet e tjera në rajon.
Sipas Hoxhajt, Kosova mbetet e përkushtuar në implementimin e të gjitha obligimeve dhe zotimeve ndërkombëtare, duke u ndalur më gjatë në dialogun me Serbinë dhe lajmin e mirë të para pak ditëve për arritjen e marrëveshjes për ndërtimin e objekteve në gjashtë pikëkalime kufitare të IBM-it.
Kryediplomati kosovar ka shprehur para ambasadorëve gatishmërinë e institucioneve për të vazhduar me përpjekjet e përbashkëta në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit, derisa ka shprehur nevojën për tu anëtarësuar në Interpol dhe për të bashkëpunuar drejtpërdrejt me Europolin.
Ambasadorët e vendeve të BE-së janë informuar nga ministri Hoxhaj edhe për pjesëmarrjen e tij dhe të presidentes Jahjaga në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe aplikimin e Kosovës këtë vit në Këshillin e Evropës.
Ambasadorët evropianë kanë komentuar dhe shtruar pyetje për ministrin Hoxhaj në tema të shumta politike të brendshme dhe të jashtme.