Hoxhaj: Serbia më agresive ndaj Kosovës
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë një interviste për Zërin, ka vlerësuar se mosnjohja e Kosovës nga 5 vendet anëtare të BE-së nuk paraqet fare problem për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Përkundrazi, ai ka thënë se katër nga këto vende tashmë e kanë njohur pasaportën e Kosovës, proces ky i cili, siç është shprehur ai, e ndihmon mjaft liberalizimin.
Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga këto vende nuk ka qenë asnjëherë problem për liberalizmin e vizave apo kusht i vënë. Përkundrazi, përmbushja e kritereve të brendshme për Kosovën është kushti evropian, ka deklaruar ai për Zërin.
Hoxhaj më tej ka thënë se së fundmi ka marrë përkrahje edhe nga vendet e Vishegradit për proceset eurointegruese të Kosovës.
Ndërkohë, ka vlerësuar se Serbia është bërë shumë agresive në raport me Kosovën dhe, ashtu si ai ka deklaruar, atë ka filluar ta pengojë pothuajse kudo prania e saj.
Ministri i Punëve të Jashtme ka folur edhe rreth Marrëveshjes për Qasjen në Programet e Bashkimit Evropian, me çrast ka konsideruar se kjo marrëveshje është shembulli tipik i një qasjeje të re në politikën e jashtme të Kosovës.
/Zëri/