05 Maj 2024

Hoxhaj: Prizreni, selia e Akademisë Diplomatike të Kosovës

Prizren, 31 korrik - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë një vizite që ka bërë në Prizren, ka zhvilluar një takim me kryetarin e qytetit, Ramadan Muja.

Gjatë takimit, Ministri Hoxhaj, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Kryeministrit Hashim Thaçi, ka bërë publik lajmin se selia e Akademisë Diplomatike të Kosovës do të jetë në Prizren, duke përmendur edhe arsyet kryesore për një vendim të tillë.

“Arsyeja e parë e këtij vendimi ka të bëjë me historinë e qytetit të Prizrenit, duke pas parasysh se në këtë qytet gjatë historisë kanë qenë të vendosur shumë përfaqësues diplomatikë të shteteve të ndryshme dhe se Prizreni ka një traditë të gjatë historike e kulturore në këtë drejtim”, tha Hoxhaj.

Ai po ashtu theksoi se ky vendim është pjesë e vizionit të Qeverisë së Kosovës për zhvillimin e qytetit të Prizrenit.

“Është vizion i Qeverisë së Republikës së Kosovës që Prizreni të jetë një qendër e rëndësishme e institucioneve shtetërore të Kosovës dhe pas themelimit të Universitetit të Prizrenit, Akademia Diplomatike është institucioni i dytë i rëndësisë së veçantë që vendoset në qytetin e Prizrenit”, tha Hoxhaj.

Ministri bëri të ditur se arsyeja e tretë e këtij vendimi të Qeverisë së Kosovës është e natyrës profesionale.

“Kjo Akademi do të merret me hartimin e dokumenteve dhe studimeve strategjike të politikës së jashtme kosovare, do të merret me organizmin e trajnimeve të stafit diplomatik që është pjesë e MPJ-së, por edhe të trajnimeve të tjera për qytetarët e Kosovës si dhe do të organizojë konferenca, forume dhe seminare në qytetin e Prizrenit”, tha Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja e ka falënderuar Ministrin Hoxhaj për këtë lajm shumë të rëndësishëm për qytetarët dhe qytetin e Prizrenit, duke premtuar se Komuna e Prizrenit do të ofrojë hapësirën dhe mbështetje të gjithanshme për vendosjen dhe funksionalizimin e plotë të  Akademisë Diplomatike të Kosovës, në qytetin e Prizrenit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)