Hoxhaj priti Ndihmës-Presidenten e Egjiptit, Pakinam Hassan Khalil El Sharkawy
Prishtinë, 7 nëntor Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, zhvilloi sot një takim me Ndihmës-Presidenten e Republikës Arabe të Egjiptit, Pakinam Hassan Khalil El Sharkawy.
Ministri Hoxhaj e njoftoi Ndihmës-Presidenten egjiptiane për progresin e vazhdueshëm në Republikën e Kosovës, me theks të veçantë për fuqizimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar.
Hoxhaj shprehu përkrahjen e qytetarëve dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për përpjekjet e popullit egjiptian për transformimin politik e shoqëror që ka ndodhur vitet e fundit, duke përshëndetur ndryshimet që po ndodhin në Egjipt, pas revolucionit.
Ministri Hoxhaj duke folur për miqësinë e kamotshme ndërmjet dy popujve tanë, vlerësoi shkëmbimet që po zhvillohen ndërmjet dy vendeve, duke theksuar se Republika e Kosovës pret njohjen nga Egjipti.
Në këtë kontekst, Hoxhaj tha se njohja nga Egjipti do të ketë rol të rëndësishëm për fuqizimin e mëtejshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe do të ishte një hap i cili do të rriste e fuqizonte edhe më shumë marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy popujve dhe shteteve tona.
Në anën tjetër, Ndihmës-Presidentja e Republikës Arabe të Egjiptit, Pakinam Hassan Khalil El Sharkawy, foli për zhvillimet në Egjipt në periudhën e formimit të institucioneve dhe ndryshimeve të gjithëmbarshme.
Ajo theksoi se rrethanat dhe qasja e re e Egjiptit do të kenë efekte edhe në raportin e këtij shteti me rajonin e Ballkanit dhe Kosovën.
Pakinam Hassan Khalil El Sharkawy shfaqi shpresën se pavarësia e Kosovës do të njihet së shpejti nga ana e Egjiptit.