Hoxhaj pritet te zëvendësoj Tahirin në bisedimet Kosovë - Serbi
Prishtinë, 23 mars - Paralajmërimet se bisedimet e ardhshme Kosovë-Serbi nuk do të jenë të karakterit teknik por të atij politik, dhe se njëra nga temat e bisedimeve do të jetë veriu i vendit, kanë shtyrë kryeministrin e vendit, Hashim Thaçi, që të mendojë për ndërrimin e delegacionit të bisedimeve.
Burime të afërta me qeverinë e Kosovës, i kanë thënë Zërit se shefi i qeverisë kosovare është duke menduar që ta heqë kryenegociatoren e deritashme, Edita Tahiri, dhe ta zëvendësojë me një person tjetër.
Kryeministri po pretendon që ta shkarkojë Editën, e në vend të saj të emërojë Enver Hoxhajn. E në Ministrinë e Jashtme do të vijë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, dhe kështu AKR-ja do ta marrë edhe një ministri të re, përveç Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë të cilën gjithashtu do ta udhëheqë kjo parti, ka thënë burimi.
Ai sqaron se vërejtjet që i ka shprehur opozita e shoqëria civile në shumë pika që kanë të bëjnë me zëvendëskryeministren Tahiri, qoftë sjellja e saj karshi Serbisë, apo shpenzimet e mëdha, duke përfshirë edhe udhëtimin në Shqipëri për 8 mars ku janë shpenzuar pesëdhjetë mijë euro, ia kanë mbushur mendjen kryeministrit që të mendojë për ndryshime.