27 Prill 2024

Hoxhaj: Politika serbe ndaj Kosovës me pasoja të dëmshme

Berlin, 24 janar - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në një intervistë për portalin e lajmeve “EurActiv.de” ka thënë se me barrikadat që ka vendosur në veri të Kosovës, Serbia është duke bllokuar rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

Sipas Ministrit Hoxhaj, Serbia nuk mund të synoj Bashkimin Evropian dhe në të njëjtën kohë edhe Kosovën.

“Nuk mund të ketë integrim të Serbisë në Bashkimin Evropian, derisa Presidenti Tadic mundohet të ketë një dorë në veri të Mitrovicës, tjetrën dorë në Bruksel. Barrikadat që janë vendosur në veri, nuk janë bllokada të rrugëve, ato janë barrikada, që Serbia i ka vendosur kundër vetvetes në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë Hoxhaj.

Në këtë intervistë, Hoxhaj ka ritheksuar se Qeveria e Kosovës me çdo kusht i do jashtë territorit të Kosovës strukturat ilegale dhe paramilitare.
 
Gjatë qëndrimit të tij në Gjermani, ai ka kërkuar nga autoritetet gjermane që të bëjnë presion mbi Serbinë që mos t’i shkoj mendja për të mbajtur zgjedhje në territorin e Kosovës.
 
“Për ne është e paimagjinueshme, dhe e papranueshme, nëse Serbia provon të organizoj zgjedhje ilegale në veri të Kosovës. Mbajtja e zgjedhjeve në veri të Kosovës, veç sa do t’i forcon strukturat paralele. Prandaj, ne kemi kërkuar nga akterë të ndryshëm ndërkombëtar që ata të ushtrojnë presion mbi Beogradin që të mos provoj mbajtjen e këtyre zgjedhjeve ilegale në territorin e Kosovës”, ka shtuar Hoxhaj.
 
Ministri Hoxhaj në këtë intervistë ka folur edhe për pasojat që mund të ketë gjithë rajoni, nëse Serbia nuk e ndryshon politikën e saj ndaj Kosovës.
 
“Bashkimi Evropian duhet të ketë të qartë se çfarë mund të ndodh në një periudhë afatshkurtër dhe afatgjatë në Ballkan, nëse në veri të Mitrovicës mbahen zgjedhje të tilla, nëse nuk largohen strukturat paralele, nëse Beogradi nuk i implementon marrëveshjet e arritura në Bruksel, atëherë nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve”, ka paralajmëruar Hoxhaj.
 
Duke folur për marrëdhëniet gjermano-kosovare, Hoxhaj ka theksuar se Republika e Kosovës mirëpret më shumë investime gjermane në Kosovë. Gjatë vizitës në Berlin, Ministri Hoxhaj ka kërkuar që Gjermania edhe më fuqishëm të mbështes aspiratat e popullit të Kosovës për t’u integruar në Bashkimin Evropian.
 
Ai ka folur edhe për pesë shtetet e Bashkimit Evropian, të cilat edhe më tutje nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës. Sipas Hoxhajt, pas ndërrimeve të qeverive në disa shtete, ka sinjale shumë pozitive, duke kërkuar nga Bashkimi Evropian që t’i bëjnë më shumë trysni këtyre shteteve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)