Hoxhaj përkrah iniciativën për promovimin e liberalizimit të vizave
Prishtinë, 18 prill - Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur të premten përfaqësuesit e grupit Shtegtarët e Lirë, Ekrem Avdiu, Nazim Ajdini, Jahi Mustafa, Xhevdet Shabani, Liridon Basha dhe Reshat Rexhepi, të cilët do të nisen në një udhëtim të gjatë në këmbë nga Gjilani për në Bruksel, për të promovuar kauzën e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Ministri Hoxhaj premtoi që ky grup do të ketë mbështetjen e MPJ-së dhe të Ambasadave të Kosovës të cilat do të kujdesen rregullisht për kushtet dhe trajtimin e tyre nëpër 78 ditë dhe për mbi 2,500 kilometra rrugëtim.
Grupi Shtegtarët e Lirë ka falënderuar ministrin Hoxhaj për përkrahjen dhe angazhimin e tij për të mbështetur këtë iniciativë të rrallë si dhe ftuan të jetë pjesëmarrës i nisjes zyrtare me 30 Prill nga Gjilani.