Hoxhaj: Për veriun bisedojmë vetëm me qytetarët atje
Prishtinë, 23 tetor - Qeveria e Kosovës po e refuzon mundësinë që në dialogun mes kryeministrit Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Dacic, ku synohet të arrihet normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, të adresohet edhe çështja e veriut të vendit.
Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka hedhur poshtë mundësinë që në kuadër të këtij procesi, veriu i Kosovës të ketë një autonomi substanciale të shpjeguar nga disa diplomatë ndërkombëtarë.
Ditë më parë në një intervistë për Kohën Ditore, ish-i dërguari i BE-së në bisedimet për statusin, Stefan Lehne, ka thënë se për veriun e Kosovës zgjidhja e ofruar me Pakon e Ahtisaarit nuk mjafton, andaj Qeveria në Prishtinë duhet të llogarisë që në fund të procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë një balancim do të duhej të arrihej mes dëshirës së serbëve të veriut për të ruajtur pozicionet e tanishme dhe lidhjet me Serbinë, si dhe dëshirës së Prishtinës për të shtrirë sovranitetin e vet atje. Ky balancim gjendet në një autonomi substanciale për veriun e Kosovës.
Mirëpo, ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, në një prononcim për Kohën Ditore ka hedhur poshtë një mundësi të tillë, duke thënë se diplomatët që po i bëjnë këto deklarata janë të dy llojeve.
Ata që propozojnë autonomi për tri komuna e gjysmë në veri të Kosovës, ata ose nuk e kanë lexuar Pakon e Ahtisaarit, ose janë qëllimkëqij. Nuk mund të ketë dy lloj të komunitetit serb që jeton në Kosovë, serbë të zakonshëm dhe serbë të privilegjuar, ka thënë Hoxhaj.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk do të bisedojë me Serbinë për rregullimin e brendshëm.