28 Prill 2024

Hoxhaj: Pas njohjes do të thellojmë bashkëpunimin me Haitin

Port-au-Prince, 11 shkurt - Vetëm një ditë pasi iu konfirmuar njohja nga Republika e Haitit, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka vazhduar takimet me përfaqësues shtetëror në Port-au-Prince.

Ministri Hoxhaj fillimisht është takuar me Kryeministrin e Haitit, Garry Conille, të cilin e ka falënderuar për vendimin e Qeverisë së tij për të njohur pavarësinë e Kosovës.
 
Ministri Hoxhaj ka thënë se me këtë vendim, Haiti i është bashkuar shteteve të fuqishme e demokratike botërore, të cilat me njohjen e tyre i kanë kontribuar paqes dhe stabilitetit në Ballkanit.

Nga ana tjetër, Kryeministri i Haitit, Garry Conille ka vlerësuar se tani Haiti dhe Republika e Kosovës duhet të thellojnë bashkëpunimin politik dhe ekonomik.

Ministri Hoxhaj dhe Kryeministri Conille janë pajtuar që së shpejti në mes të dy shteteve do të nënshkruhen disa marrëveshje bilaterale.

Mbrëmë, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Haitit, Laurent Lamothe, pas një takimi zyrtar me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në një konferencë të përbashkët për shtyp kanë bërë publike njohjen zyrtare të pavarësisë së Kosovës nga Haiti.

Dy ministrat kanë deklaruar se Republika e Kosovës dhe Republika e Haitit shumë shpejt do të vendosin marrëdhënie diplomatike, përmes akreditimit të ambasadorëve jorezident si dhe do të nënshkruhen disa marrëveshje në fushën e arsimit.
 
Ministri Hoxhaj po ashtu ia ka ofruar Haitit ndihmën e Republikës së Kosovës, sidomos në ofrimin e përvojave për procesin e rindërtimit.

Republika e Haitit është shteti i 87 që e njeh pavarësinë e Kosovës.

Njohja nga ky shtet vjen në kohën kur Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka intensifikuar maksimalisht përpjekjet për të përmbyllur procesin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Republika e Haitit, është shtet i Karaibeve me sipërfaqe prej 27,750 kilometra katrorë, me popullsi prej rreth 9,8 milionë banorë dhe ka kryeqytet Port-au-Princin.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)