20 Janar 2025

Hoxhaj paralajmëron nënshkrimin e MSA-së dhe krijimin e FAK-ut

Prishtinë, 30 prill – Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, gjatë një ligjërate të mbajtur para studentëve të Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka” e ka cilësuar këtë javë historike për Kosovën evropiane.

Para studentëve dhe profesorëve të këtij Universiteti, ministri Hoxhaj ka bërë të ditur se këtë javë përfundojnë negociatat për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), duke thënë se kjo është ngjarja më e rëndësishme për Kosovën.

Gjatë ligjëratës, shefi i diplomacisë kosovare ka folur edhe për proceset e tjera të rëndësishme që lidhen me forcimin e shtetësisë, subjektivitet ndërkombëtar dhe qasjen e politikës së jashtme të Kosovës.

Sa i përket relacioneve me BE-në, Hoxhaj ka shtjelluar dimensionet në të cilat Kosova ka operuar në komunikimin me institucionet e BE-së, duke theksuar edhe sukseset e arritura në këtë drejtim.

Ai po ashtu theksoi angazhimin konkret dhe të bazuar në analiza e studime të diplomacisë kosovare për realizmin e aspiratës së Kosovës për anëtarësim në OKB.

Ministri i Jashtëm i Kosovës ka folur edhe për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK), duke e quajtur proces historik për Kosovën.

“Krijimi i FAK-ut është obligim edhe ndaj partnerëve ndërkombëtarë sepse parashihet me Pakon e Ahtisaarit dhe jam i sigurt se ky proces është i pandalshëm”, tha Hoxhaj, duke shprehur bindjen se ai nuk do të bllokohet në Kuvendin e Kosovës.

Ai po ashtu ka theksuar mbështetjen që ekziston për krijimin e FAK-ut nga SHBA-të  dhe NATO.

Ministri Hoxhaj ka shpalosur edhe konceptin e fuqisë së butë apo fuqisë së zgjuar, duke thënë se burim i kësaj fuqie është diplomacia, kultura, institucionet demokratike.

“Gjatë këtyre katër vjetëve kemi bërë përpjekje që ta përdorim këtë koncept dhe ta prezantojmë në mënyrë të vëmendshme në situata të caktuara. Që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 e deri më tash, politikën e jashtme të Kosovës e kemi pasur njërën ndër prioritetet kyçe në Republikën e Kosovës”, tha Hoxhaj, duke prezantuar edhe qëllimet dhe të arriturat kryesore deri më tash.

Ministri Enver Hoxhaj, më pas ka bashkëbiseduar si dhe iu është përgjigjur pyetjeve të studentëve lidhur me politikën e jashtme, raportet e veçanta me shtete të caktuara si dhe zhvillime të tjera të rëndësishme në këtë drejtim.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)