20 Janar 2025

Hoxhaj, paralajmëron Javën e Tolerancës në Kosovë

Podujevë, 20 maj  – Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka paralajmëruar nga Podujeva mbajtjen e Konferencës së Dytë Ndërkombëtare për Tolerancën Ndërfetare në Prizren, që zhvillohet nga 23 deri më 30 Maj.


 Në takimin me kryetarin e Këshillit të Bashkësisë Islame në Podujevë, Bekim Jashari, imamin Idriz Bilalli dhe imamët e qytetit, ministri Hoxhaj ka thënë se jo rastësisht ka zgjedhur Podujevën për ta paralajmëruar Javën e Tolerancës në Kosovë, pasi prijësit fetar jo vetëm në këtë qytet por në tërë Kosovën kanë qenë shembull i bashkëjetesës dhe tolerancës për dekada të tëra. 


“Jam i nderuar që sot pata rastin ta njoftoj dhe njëherësh ta ftoj kryeimamin Bilalli dhe imamët e tjerë të marrin pjesë në Konferencën e Dytë Ndërkombëtare për Tolerancë që mbahet në Prizren këtë javë. Është një mundësi e mirë t’u tregojmë të gjithë prijësve fetarë nga bota dhe shoqërive tjera që në Kosovë, islami dhe fetë tjera kanë bashkëjetuar me vite të tëra dhe ndër gjenerata. Kjo është trashëgimia jonë e pasur dhe vlera që duhet ta ndajmë edhe me popujt tjerë”, ka thënë Hoxhaj.

Kryediplomati Hoxhaj i ka njoftuar imamët dhe krerët e Bashkësisë Islame në këtë Komunë për qëllimin e organizimit të kësaj konference, rezultatet që synohen të arrihen dhe mesazhet që duhet dërguar shoqërive tjera. 


Kryeimami Bilalli e ka falënderuar Hoxhajn për këtë organizim, e veçmas Ministrinë e Jashtme që gjatë viteve të fundit ka bërë shumë për ta promovuar tolerancën ndërfetare në Kosovë edhe për shoqëritë e tjera dhe prijësit fetarë në botë.


Organizimi i Javës së Tolerancës është platforma e dytë ndërkombëtare që mbahet në Prizren nga 23 deri më 30 Maj të këtij viti, pasi vitin e kaluar ishte mbajtur në Pejë.


Në këtë konferencë të nivelit ndërkombëtar pritet të marrin pjesë mbi 100 personalitete fetare, teologë dhe studiues nga bota për të diskutuar marrëdhëniet për fenë dhe politikën, veçmas avancimin e dialogut ndërfetar si formë e zhvillimit demokratik.

Gjatë kësaj jave do të organizohen një sërë aktivitetesh në nivel të Kosovës siç janë: Konferenca Ndërkombëtare Ndërfetare “Feja dhe Politika” në Prizren, lansimi i librit “The Destruction of Islamic Heritage in the Kosovo War, 1998-1999” si dhe ligjërata dhe aktivitete të tjera.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)