Hoxhaj: OSBE, mbështetëse e demokracisë në Kosovë
Prishtinë, 21 nëntor - Ministri i Punëve të Jashtëm i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë vizitës në Austri, ka takuar sot sekretarin e përgjithshëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Lamberto Zannier.
Gjatë takimit, ministri Hoxhaj e ka informuar z. Zannieri, për reformat dhe përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e gjithanshëm të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Hoxhaj ka falënderuar OSBE-në për përkrahjen që po i jep Kosovës në fushën e zhvillimit të demokracisë dhe të mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve.
Ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu e ka informuar sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së për për progresin që ka bërë Republika e Kosovës.
Ky progres, këtë vit është përcjell edhe me largimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare mbi Kosovën, gjë që e ka bërë pavarësinë dhe sovranitetin tonë të plotë. Në të njëjtën kohë i ka bërë institucionet tona më të fuqishme dhe me kompetenca të plota, ka thënë Hoxhaj, gjatë takimit.
Ai po ashtu ka theksuar sukseset që ka arritur shteti i Kosovës në procesin e njohjes së plotë ndërkombëtare të Kosovës dhe integrimet e saj në sistemin ndërkombëtar, ku gjysma e shteteve anëtare të OKB-së tashmë e kanë njohur Kosovën dhe Kosova po anëtarësohet në organizata të rëndësishme sikurse që është BERZH-i.
Ministri Hoxhaj është fokusuar edhe në agjendën e integrimeve evropiane të Kosovës, duke theksuar se Kosova po angazhohet fuqishëm në dy procese paralele, lëvizjen e qytetarëve pa viza si dhe procesin e nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asocim, pas publikim të raportit të progresit.
Në anën tjetër, sekretari i përgjithshëm i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Lamberto Zannier, ka falënderuar për bashkëpunimin që OSBE-ja ka me institucionet e Kosovës dhe për interesimin e OSBE-së që ta mbështesë këtë progres edhe më tutje, duke e konsideruar të rëndësishëm për paqen, sigurinë dhe stabilitetin brenda Kosovës dhe në rajon.
Në kuadër të angazhimeve për fuqizimin e agjendës evropiane të Republikës së Kosovës, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka filluar një vizitë zyrtare në disa prej shteteve kryesore të Bashkimit Evropian.