Hoxhaj: Njohja nga Izraeli, në shërbim të stabilitetit në rajon
Prishtinë, 20 gusht - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar sot një takim me një delegacion të lartë të Unionit Evropian Hebraik, të kryesuar nga kryeshefi ekzekutiv i saj, Tomer Orni.
Gjatë takimit, ministri Hoxhaj e ka informuar delegacionin hebraik për progresin e gjithanshëm në Kosovë, për avancimin e proceseve integruese evropiane, si dhe për fuqizimin e vazhdueshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Hoxhaj shprehu mirënjohje për diasporën hebraike në Evropë dhe në SHBA, për mbështetjen e madhe për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ai po ashtu theksoi përkushtimin e shtetit të Kosovës për avancimin e pozitës së komunitetit hebraik në Kosovë, i cili, siç u shpreh ministri Hoxhaj, paraqet një komunitet historik dhe është një urë e fuqishme ndërmjet diasporës hebraike në botë dhe shtetit të Izraelit.
Populli i Kosovës e ka jetësuar aspiratën e tij për shtet të pavarur me mbështetje dhe vullnet të bashkësisë ndërkombëtare, ashtu siç është krijuar edhe shteti i Izraelit në bazë të vullnetit ndërkombëtar pas luftës së dytë botërore, tha Hoxhaj, duke shtuar se njohja e Kosovës nga Izraeli do të ishte në shërbim të fuqizimit të shtetit të Kosovës dhe paqes e stabilitetit afatgjatë në rajon e më gjerë.
Kryeshefi ekzekutiv i Unionit Evropian Hebraik, Tomer Orni, e vlerësoi progresin e arritur në Kosovë, duke konfirmuar përkrahjen e këtij unioni për Kosovën.