Hoxhaj ngushëllon Terzin pas tërmetit që ka goditur veriun e Italisë
Prishtinë, 29 maj - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, i ka dërguar një telegram ngushëllimi Ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë, Giulio Terzi, pas tërmetit që ka goditur të martën, pjesën veriore të Italisë.
Në telegram, Ministri Hoxhaj ka shprehur dhimbjen e thellë të Qeverisë dhe popullit të Republikës së Kosovës, për viktimat dhe të lënduarit e tërmetit të fuqishëm që ka goditur shtetin mik, Italinë.
Në këto ditë të vështira, më lejoni që në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës të shpreh ngushëllimet tona të sinqerta për ju dhe familjet e viktimave dhe të lutemi për shërim të shpejtë të të lënduarve, thuhet në telegram.
Tërmeti me intensitet prej 5.8 shkallë të Rihterit goditi Italinë rreth orës nëntë të mëngjesit, të së martës, rreth 40 kilometra në verilindje të qytetit të Bolonjës, dhe është dëgjuar deri në Venecia. Mediet ndërkombëtare raportojnë së ky tërmet deri më tani, ka shkaktuar së paku 10 viktima.