Hoxhaj ngushëllon homologun Linkevičius
Prishtinë, 19 shtator - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Lituanisë, Linas Linkevičius, pas incidentit në Zveçan, në veri të Kosovës, që rezultoi me vdekjen e një pjesëtari të EULEX-it nga Lituania.
Ministri Hoxhaj, në emër të qytetarëve dhe Qeverisë së Kosovës i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta ministrit Linkevičius, familjes së të ndjerit dhe popullit të Lituanisë për këtë ngjarje tragjike.
Hoxhaj po ashtu ka dënuar ashpër sulmin e armatosur kundër pjesëtarëve të Misionit të EULEX-it, ku si pasojë ka vdekur një pjesëtari i saj nga shteti mik, Lituania.
Ky sulm është një akt i shëmtuar dhe qyqar kundër sundimit të rendit dhe ligjit edhe në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës dhe si i tillë është i dënueshëm nga qytetarët dhe institucionet e Kosovës, ka thënë Hoxhaj, gjatë bisedës.
Ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu ka theksuar se Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me EULEX-in, KFOR-in dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë është e vendosur që të vazhdojë ti kryejë obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës.