Hoxhaj në takimin e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik
Xhibuti, 15 nëntor Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, po merr pjesë në Sesionin e 39-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm, të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI).
Ministri Hoxhaj, në Xhibuti ka shkuar me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm të OBI-t, Ekmeledin Ihsanoglu, si dhe me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Xhibutit, Mahmoud Ali Jusuf, i cili udhëheq këtë sesion të Këshillit.
Vizita e ministrit Hoxhaj në Xhibuti, ka rëndësi të veçantë për shkak të rolit të rëndësishëm të OBI-t në mesin e 57 shteteve anëtare të saj si dhe faktit se ministri Hoxhaj është i ftuar zyrtarisht, për herë të parë, që të marrë pjesë në punimet e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të saj.
Po ashtu, vlen të theksohet fakti se pas angazhimit të fuqishëm të ministrit Hoxhaj dhe të kontakteve të shpeshta me udhëheqësit e OBI-t, Kosova do të jetë temë e veçantë e paraparë në rendin e ditës të këtij sesioni të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të organizatës.
Ministri Hoxhaj, gjatë pjesëmarrjes në punimet e OBI-t, përveç takimeve me udhëheqësit e organizatës dhe ministrin e Jashtëm të Xhibutit, do të ketë mundësi të takohet me dhjetëra liderë të shteteve anëtare të kësaj organizate, disa prej të cilave ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.
Organizata për Bashkëpunim Islamik me 57 vende anëtare, është organizata e dytë më e madhe në botë për nga anëtarësia, pas Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Më herët, Organizata e Bashkëpunimit Islamik, ka nxjerrë disa rezoluta për Kosovën, ndër të cilat edhe një rezolutë ku i bëhej thirrje vendeve anëtare që të marrin në konsideratë njohjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.
Qasja e OBI-t ndaj Kosovës, konsiderohet se ka pasur ndikim të rëndësishëm në evoluimin e qëndrimeve politike të shteteve anëtare, në funksion të njohjes së Republikës së Kosovës.
Nga 57 shtete anëtare të OBI-t, Kosova është njohur nga 30 prej tyre, ndërsa në të ardhmen e afërt pritet rritja e numrit të njohjeve nga shtetet anëtare të kësaj organizate.