16 Janar 2025

Hoxhaj në Singapor, kërkon njohjen e Kosovës

Singapor, 29 janar - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar vizitën e parë zyrtare të një lideri institucional të Kosovës në Singapor, me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Singaporit, Kasiviswanathan Shanmugam.

Pasi ka njoftuar ministrin Shanmugam për progresin që është arritur në Kosovë gjatë pesë vjetëve të pavarësisë, ministri Hoxhaj ia ka dorëzuar atij kërkesën për njohjen e Kosovës shtet sovran dhe të pavarur.

Ministri Hoxhaj ka theksuar se Kosova është e interesuar që të ketë Singaporin partner të rëndësishëm strategjik dhe se shtetet e vogla duhet të qëndrojnë pranë njëra-tjetrës në zhvillimet e mëtutjeshme.

\"Shtetet e vogla si Singapori dhe Kosova duhet të mbështesin njëra-tjetrën. Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka konfirmuar legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, asnjë shtet nuk ka arsye që të zvarrisë njohjen e Kosovës”, ka thënë ministri Hoxhaj, duke kërkuar nga homologu i tij, që sa më shpejt Singapori t’i bashkohet shteteve që tashmë kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Jashtme dhe i Drejtësisë, Kasiviswanathan Shanmugam ka thënë se shteti i tij ka simpati për Republikën e Kosovës duke ka siguruar ministrin Hoxhaj se Singapori ka një qëndrim shumë pozitiv për shtetin e pavarur të Kosovës.

Ai ka theksuar se Singapori është i gatshëm që të shkëmbej përvojat në fusha të ndryshme me Republikën e Kosovës, sidomos në diplomaci, arsim, urbanizëm etj.

Ministri Hoxhaj dhe ministri Shanmugam janë pajtuar që shumë shpejt të fillojnë shkëmbimet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Singaporit në këto fusha.

Hoxhaj me këtë rast ka thënë se Singapori shërben si model për shtetet e vogla.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, edhe vitin e kaluar në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara kishte zhvilluar një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Singaporit, Kasiviswanathan Shanmugam.

Ministri Hoxhaj gjatë dy viteve të kaluara ka vizituar disa herë rajonin e Azisë dhe Oqeanisë ku ka lobuar për njohjen e Kosovës nga shtetet e kësaj pjese të botës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)