19 Janar 2025

Hoxhaj në Monako, 2014 është vit i Kosovës multilaterale

Monako, 18 janar - Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, po vazhdon turneun diplomatik në Evropë ku pas Andorrës ka qëndruar në Monako.

Në vizitën e parë zyrtare, ministri Hoxhaj ka takuar homologun e tij, José Badia, me të cilin kanë folur për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe koordinimin e aktiviteteve në disa prej iniciativave të ardhshme të Kosovës për aplikim në organizata ndërkombëtare.

Shefi i diplomacisë kosovare e ka falënderuar ministrin Badia për njohjen dhe rolin konstruktiv të Monakos karshi Kosovës, duke i kërkuar njëherësh votën dhe mbështetjen politike në disa prej aplikimeve të Kosovës në organizata evropiane e botërore dhe kornizimin e një pako marrëveshjesh që nga fusha e ekonomisë, tregtisë, arsimit, shkencës, kulturës e sportit.

Turneu diplomatik për t’i takuar homologët evropianë një nga një, sipas ministrit Hoxhaj është për të siguruar mbështetje në një vit të rëndësishëm të Kosovës në aspektin e agjendës multilaterale.

“Në takimin që kisha me ministrin e Punëve të Jashtme të Monakos u dakorduam që Monako dhe Kosova ta thellojnë dhe zgjerojnë bashkëpunimin përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje kornizë e cila marrëveshje do të duhej ta inicionte dhe rregullonte këtë bashkëpunim në disa fusha të jetës, prej ekonomisë, tregtisë, shkencës, arsimit, kulturës e sportit, dhe në të ardhmen ndërmjet qeverive tona të ketë edhe persona përgjegjës që do të duhej ta koordinojnë një bashkëpunim të tillë. Po ashtu, unë kërkova nga ai që Monako ta mbështet Kosovën në rrugën e saj të anëtarësimit në disa organizma evropianë dhe global. Mora mbështetje konkrete në këtë drejtim dhe meqë viti 2014 do të jetë vit i Kosovës multilaterale dhe aplikimi i jonë në organizata do të jetë prioritet mbi prioritetet, unë besoj që Monako sikurse shtetet e tjera që kam vizituar do të jenë mbështetëse të fuqishme të Republikës së Kosovës”, deklaroi ministri Enver Hoxhaj.

Gatishmëri për ta përkrahur Kosovën në të gjitha nismat dhe fushat shprehu ministri i Jashtëm i Monakos, Jose Badia, i cili pas takimit deklaroi se shteti i tij është një mik i Kosovës dhe do të bëj çmos për të bashkërenduar aktivitetet me Qeverinë në Prishtinë jo vetëm gjatë aplikimit në organizata ndërkombëtare por edhe në fusha të tjera.

“Jam veçanërisht i kënaqur që e kam takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës. Besoj që kemi gjetur pika të përbashkëta dhe të cilat i kemi identifikuar nga ana e jonë. Besoj se bashkëpunimi ndërmjet Monakos dhe Kosovës jo vetëm që është i mundshëm por është edhe i dëshirueshëm. Monako mbështet zhvillimin, pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj ndërkombëtare dhe jemi shumë të interesuar për ta përcjellur zhvillimin e vendit tuaj në këtë kontekst”, ka thënë ministri Badia.

Shefi i diplomacisë kosovare ka qëndruar në Monako pas vizitës në Irlandë, Paris dhe Andorra ku është takuar me zyrtarë të lartë të këtyre vendeve me qëllim të koordinimit të agjendës evropiane dhe multilaterale të Kosovës, veçmas procesin e aplikimit dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.


Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)