Hoxhaj në konferencën ministrore të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor
Prishtinë, 7 maj Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka udhëtuar të mërkurën për një vizitë zyrtare në Greqi, me ftesë të presidencës greke të BE-së, ku do të marr pjesë në Konferencën Ministrore ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
Gjatë qëndrimit në Greqi, ministri Hoxhaj do të marrë pjesë në aktivitete të shumta në kuadër të kësaj konference, e cila organizohet me rastin e 10 vjetorit të Samitit të Selanikut, ku do të marrin pjesë edhe ministrat e jashtëm të shteteve të BE-së si dhe përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian.
Ministri Hoxhaj po ashtu do të takohet me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm grek, Evangelos Venizelos, si dhe me shumë homologë dhe përfaqësues të lartë të vendeve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor.
Vizita e ministrit Enver Hoxhaj në Greqi përbën një hap të rëndësishëm në kuadër të aktiviteteve për fuqizimin e raporteve me BE-në, shtetet anëtare të saj, në veçanti me shtetin grek, si dhe me vendet e tjera të rajonit.