Hoxhaj në Irlandë, përkrahje për agjendën evropiane dhe multilaterale të Kosovës
Dublin, 14 janar - Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka nisur vizitën e tij të parë zyrtare për këtë vit në Irlandë ku është takuar me homologun, Tanaiste Eamon Gilmore, me të cilin kanë biseduar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve, agjendën evropiane dhe multilaterale të Kosovës dhe dialogun me Serbinë.
Ministri Hoxhaj e ka falënderuar ministrin e Jashtëm Gilmore për ndihmën e Irlandës që pas përfundimit të luftës e veçmas në përshpejtimin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, duke i kërkuar njëherësh mbështetje në të tjera iniciativa sikurse nënshkrimin e MSA-së ndërmjet Kosovës dhe BE-së në pjesën e parë të këtij viti, përkrahjen për aplikim dhe anëtarësim në organizata evropiane e ndërkombëtare dhe implementimin e marrëveshjeve të arritura me Serbinë.
Jemi mirënjohës për ndihmën e Irlandës gjithë këto vite e veçmas mbështetjen e treguar në perspektivën tonë evropiane. Kosova ka shënuar progres të dukshëm që pas shpalljes së pavarësisë dhe këtë vit jemi të interesuar të nisim një kapitull të ri ndërmjet vendeve tona në aspektin e agjendës bilaterale. Do të kërkoja edhe përkrahjen tuaj për përfundimin sa më të shpejtë të negociatave për MSA-në dhe nënshkrimin e saj me Kosovën në pjesën e parë të këtij viti. Kosova dhe institucionet tona janë zotuar ti përmbushin obligimet e marra. Njëherësh do të kërkoja ta përkrahni Kosovën në disa nivele të tjera për aplikim dhe anëtarësim në disa organizata evropiane e ndërkombëtare këtë vit, ka thënë Hoxhaj.
Kryediplomati kosovar e ka njoftuar homologun e tij edhe më të arriturat e tjera të Kosovës e veçmas progresin dhe sfidat në dialogun me Serbinë, duke i kërkuar njëherësh ndihmën e Irlandës për ta quar deri në fund zbatimin e marrëveshjeve të arritura.
Me ministrin e Jashtëm të Irlandës, Tanaiste Eamon Gilmore, është diskutuar në detaje për thellimin e marrëdhënieve bilaterale dhe fushat ku mund të bashkëpunonin të dyja vendet, veçmas në sektorin e arsimit dhe teknologjisë informative ku Irlanda është e njohur për suksesin e arritur në dekadat e fundit. Temë diskutimi ndërmjet dy ministrave ka qenë edhe çështja e MSA-së, dialogut me Serbinë, të arriturat e Kosovës dhe veçmas agjendën e saj ndërkombëtare në vitet në vazhdim.
Pasdite ministri Hoxhaj do të mbajë një ligjëratë në Institutin Ndërkombëtar për Çështje Evropiane, IIEA.
Para një audience të zgjedhur të politikanëve, diplomatëve, studiuesve dhe akademikëve, ministri Hoxhaj pritet të prezantojë të arriturat e Kosovës në fushën e politikës së jashtme, si dhe zgjuarsinë e treguar në marrjen e njohjeve ndërkombëtare, në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe rajonale, në avancimin e perspektivës euroatlantike, si dhe konsolidimin e përfaqësimit diplomatik të Kosovës jashtë vendit.
Ministri Hoxhaj po ashtu do të diskutoj për rolin e shteteve të vogla dhe rëndësinë që ka zgjuarsia për të përdorur kapacitetet dhe burimet që shtetet e vogla posedojnë për ti arritur qëllimet e tyre.