19 Janar 2025

Hoxhaj në Andorra, siguron mbështetje për aplikimin në organizata ndërkombëtare

Andorra la Vella, 17 janar - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka vizituar Principatën e Andorrës, ku është takuar me ministrin e Jashtëm të këtij vendi, Gilbert Saboya dhe presidentin e Parlamentit, Vicenc Mateu.

Në vizitën e parë zyrtare në këtë shtet ndërmjet Francës dhe Spanjës, ministri Hoxhaj e ka falënderuar homologun e tij për vendimin e njohjes së pavarësisë, si njohja e parë pas emërimit në postin e ministrit të Jashtëm të Kosovës, duke folur njëherësh edhe për fushat ku të dyja vendet mund të bashkëpunojnë, veçmas turizmi, arsimi dhe shërbimet. 

Me theks të veçantë, ministri Hoxhaj është ndalur në koordinimin me homologun e tij Saboya rreth disa iniciativave të ardhshme të aplikimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, ku i kërkoi votën dhe mbështetjen politike.

“Kam pasur një takim jashtëzakonisht të mirë me ministrin e Jashtëm të Andorrës dhe kjo ka qenë vizita ime e parë në këtë vend që pas marrjes së vendimit për ta njohur Kosovën në vitin 2011. Biseduam për atë se si mund të lëvizim përtej marrëdhënieve diplomatike ndërmjet vendeve tona, si të ketë bashkëpunim në disa fusha të ndryshme të jetës, prej ekonomisë, arsimit, turizmit dhe shumë fushave të tjera. Po ashtu kërkova nga ministri i Jashtëm i Andorrës që gjatë këtij viti, kur Kosova të aplikojë nëpër organizata të ndryshme për anëtarësim, ne ta kemi votën dhe mbështetjen politike të Andorrës me qëllim që të bëhemi pjesë e sistemit ndërkombëtar”, ka deklaruar ministri Hoxhaj.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i Andorrës, Gilbert Saboya e falënderoi Hoxhajn për vizitën, duke nënvizuar faktin e marrëdhënieve shumë të mira diplomatike që pas njohjes së Kosovës dhe shqyrtimin e mundësive për të bashkëpunuar në fusha të ndryshme.

“Ishte kënaqësi ta prisja ministrin e Punëve të Jashtme dhe ekipin e tij që është në vizitën e tij të parë zyrtare në Andorra. Diskutuam për marrëdhëniet tona bilaterale të cilat janë të mrekullueshme, normalisht të reja. Po ashtu kemi folur edhe për mundësinë e zgjerimit të marrëdhënieve tona përtej këtyre diplomatike e politike, në mundësi konkrete për të bashkëpunuar në fushën e ekonomisë, veçmas atë të turizmit, arsimit apo shërbimeve”, ka thënë ministri Saboya, pas takimit. 

Një pritje e veçantë, ministrit Hoxhaj i është bërë edhe nga presidenti i Parlamentit të Andorrës, Vicenc Mateu, të cilin e njoftoi për progresin e shënuar në Kosovë në aspektin e brendshëm, procesin e njohjes ndërkombëtar dhe agjendën evropiane. Në takim, po ashtu janë diskutuar modalitetet e bashkëpunimit ndërmjet vendeve, e veçmas në aspektin e parlamentarizmit.

Nga ana e tij, presidenti i Parlamentit të Andorrës, Vicenc Mateu, e falënderoi ministrin e Jashtëm Hoxhaj për vizitën në Andorrë, duke shprehur gatishmërinë e tij dhe të institucionit që përfaqëson për ta thelluar edhe më tej bashkëpunimin.

“Pata kënaqësinë ta prisja në zyrën time ministrin e Jashtëm të Kosovës, Hoxhaj me të cilin biseduam për marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet vendeve tona dhe se si ne mund të ecim përpara. Po ashtu, suksesi që ka shënuar Kosova në këto vitet e fundit na bën të lumtur dhe urojmë që kjo të vazhdojë”, ka thënë presidenti i Parlamentit të Andorrës.

Shefi i diplomacisë kosovare ka qëndruar në Andorrë pas vizitës në Irlandë dhe Paris, ku është takuar me zyrtarë të lartë të këtyre vendeve me qëllim të koordinimit të agjendës evropiane dhe multilaterale të Kosovës, veçmas procesin e aplikimit dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Turneu diplomatik i ministrit Enver Hoxhaj do të vazhdojë edhe në vende të tjera.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)