Hoxhaj në Afrikë, lobon për njohje nga Zambia
Zambia, 12 shkurt - Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, po qëndron në Afrikë në një turne lobues për njohje të Kosovës.
Pas vizitës në Uashington dhe Bruksel, ministri Hoxhaj po viziton shtetin e Zambisë, ku është takuar me zyrtarë të lartë të këtij vendi në përpjekje që të sigurojë njohjen nga ky shtet.
Hoxhaj e ka njoftuar ministrin e Jashtëm të Zambisë, Wilbur Simusa, për zhvillimet e fundit, procesin e njohjeve të Kosovës dhe raportin e shtetit të ri me BE-në dhe organizmat e tjerë multilateral.
Me këtë rast, Hoxhaj ia ka dorëzuar edhe zyrtarisht kërkesën për njohje duke u shprehur optimist për një vendim pozitiv nga ky shtet afrikan.
Pas vizitës që kisha në Uashington dhe Bruksel, sot kam arritur në Zambia. Kisha një takim shumë të mirë me ministrin e Jashtëm të Zambisë ku e informova ministrin për zhvillimet kryesore në Kosovë dhe ia dorëzova zyrtarisht kërkesën për njohjen e Kosovës. Jam mëse i sigurt se ky vend do të marr një vendim pozitiv për njohje të Kosovës, ka thënë Hoxhaj.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i Zambisë e falendëroi ministrin Hoxhaj për vizitën dhe shpjegimet e nevojshme, duke u shprehur optimist për një vendim pozitiv. Ai deklaroi se shumë shpejt çështja e njohjes së Kosovës do të diskutohet në kabinetin qeveritar i cili duhet ta marr vendimin.
Turneu lobues i ministrit Enver Hoxhaj në Afrikë vjen një ditë pas njohjes së Kosovës nga Lesoto, me zyrtarë të të cilit shtet Hoxhaj ka pasur takime dhe kontakte të vazhdueshme muajve të fundit.
Kryediplomati kosovar do të vazhdojë vizitat edhe në disa vende tjera të koninentit afrikan.