Hoxhaj: Modeli i dy Gjermanive interesant për anëtarësim në OKB
Prishtinë, 5 nëntor - Kundërshtimet e Qeverisë së Kosovës ndaj modelit të dy Gjermanive për marrëdhëniet Kosovë - Serbi, për shkak të keqkuptimeve që do të krijoheshin kanë marrë fund.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një intervistë për Kohën Ditore, ka dhënë shenja pajtimi me këtë model. Madje, ai ka konstatuar se hapja e zyrave ndërlidhëse të Kosovës në Beograd dhe ajo e Serbisë në Prishtinë, është në funksion të këtij modeli.
Ministri i Jashtëm kosovar ka thënë se dialogu politik ka filluar me takimin e kaluar të dy kryeministrave. Sipas tij, në takimin e radhës bashkë me kryeministrin do të jenë edhe përfaqësues të opozitës. Ministri ka folur për të gjitha modelet e përmendura për veriun, duke përsëritur se nuk do të tejkalohet Ahtisaari.
Hoxhaj ka thënë se nuk ka qëllim që të fitojë vota nga njohjet, kur është pyetur për përplasjet në distancë me zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli.
I pyetur se kush nga opozita do të jetë pjesë e delegacionit, Hoxhaj ka thënë se qasja jonë është që për një çështje të tillë që është interes shtetëror madhor, siç është përmbyllja njëherë e mirë e mosmarrëveshjeve me Serbinë, atëherë qasja jonë do të tejkalojë një parti, një grupim politik.
\"Përveç normalizimit në rrafshin politik, ne presim që kjo të krijojë mundësinë që pas një kohe të përfundojë konflikti njëherë e përgjithmonë mes dy vendeve. Është e vërtetë fatkeqësisht që konflikti mes Kosovës dhe Serbisë është ende i hapur. Ne nuk mund ta ndryshojmë gjeografinë as historinë, por është obligim yni që njëherë e përgjithmonë ta mbyllim këtë konflikt 100-vjeçar\", ka theksuar ministri Hoxhaj.
Për modelin gjermano gjerman për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë u përgjigj se mënyra se si sot interpretohet ky model është kjo: krijimi i marrëdhënieve normale mes dy vendeve, duke e futur në kllapa atë që është e pazgjidhshme.
\"Nëse Serbia nuk mund ta njohë pavarësinë duhet që këtë ta fusë në kllapa dhe të gjejë një model për t`iu qasur Kosovës sipas realitetit në terren. Përparësia e Kosovës, sipas këtij modeli, qëndron jo vetëm në rregullimin e një relacioni normal, por edhe në atë që e ka ofruar modelin për dy Gjermanitë. Të dyja kanë qenë anëtare të OKB-së.\"
\"Një model i tillë është interesant për tu menduar. Propozimi për të krijuar zyra ndërlidhëse është shumë në funksion të këtij modeli. Edhe koncepti i fqinjësisë së mirë është në koncept të kësaj\", theksoi ministri i jashtëm i Kosovës.