Hoxhaj merr pjesë në konferencën ndërkombëtare në Tiranë
Prishtinë, 10 nëntor Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, udhëtoi sot për në Tiranë, ku do të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare, Demokratizimi i mëtejshëm i rajonit si kriter për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor, të organizuar nga Këshilli Shqiptar për Marrëdhënie me Jashtë (ACFR) në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
Në këtë konferencë, ku do të marrin pjesë ministrat e jashtëm të rajonit, ambasadorë, deputetë dhe shumë personalitete të jetës politike në Shqipëri, Ministri Hoxhaj do të mbajë një fjalim me temë: Feja, Politika dhe Çështjet Etnike Pikëpamje të ndryshme nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Po ashtu, Ministri Hoxhaj do të ketë takime të veçanta me homologët e tij të rajonit, me çrast do të diskutojë për thellimin e marrëdhënieve të mëtejme me këto vende si dhe bashkëpunimin për proceset integruese të Kosovës.