Hoxhaj merr përkrahjen në Parlamentin Evropian
Prishtinë, 3 dhjetor Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur të martën në takim, David McAllister, ish-kryeministër i Landit të Saksonisë së Ulët në Gjermani dhe bartës i listës së CDU/CSU-së në Saksoni të Ulët për zgjedhjet për Parlament Evropian të vitit 2014.
Ministri Hoxhaj e ka njoftuar z. McAllister, për proceset në Kosovë, forcimin e vazhdueshëm të subjektivitetit ndërkombëtar, si dhe avancimin e fuqishëm të agjendës euro-integruese të Kosovës.
Hoxhaj ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e madhe që Gjermania dhe CDU/CSU kanë dhenë dhe po vazhdojnë të japin për Kosovën, në të gjitha aspektet.
Ai po ashtu e informoi z. McAllister për procesin e suksesshëm zgjedhor në Kosovë, duke theksuar se ky proces e ka forcuar demokracinë në vend
David McAllister, ish-kryeministër i Landit të Saksonisë së Ulët, ka vlerësuar progresin që po arrihet në Kosovë.
Ai po ashtu ka shprehur përkrahjen e mëtutjeshme të Grupit Parlamentar CDU/CSU për Kosovën në Parlamentin Evropian.
Ministri Hoxhaj dhe z. McAllister kanë biseduar edhe për thellimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve dhe shkëmbimeve bilaterale ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës.
Në këtë kontekst, Hoxhaj theksoi rëndësinë që ka për Kosovën thellimi i raporteve me Gjermaninë, si një ndër partnerët kryesor strategjik të Republikës së Kosovës.