29 Prill 2024

Hoxhaj merr mbështetje nga Franca për sovranitetin e Kosovës

Paris, 31 gusht - Një ditë pas seancës së Këshillit të Sigurimit në New York, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, të mërkurën në Paris, ka takuar Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Francës, Alain Juppé.

Në këtë takim, Ministri Hoxhaj ka informuar Ministrin Juppé lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, duke potencuar se Republika e Kosovës është një vend stabil në Ballkan.

Ministri Hoxhaj në takim me Ministrin Juppé, ka theksuar se situata në veri të Republikës së Kosovës është krijuar pas refuzimit të Serbisë që të pranojë vulat e Kosovës.

“Si rrjedhojë Qeveria e Kosovës ka qenë e detyruar që të ndërmarr masat e reciprocitetit ndaj mallrave serbe, meqë Kosova në tri vitet e fundit ka pas pozicion të pabarabartë në tregtinë e lirë, ku Serbia ka eksportuar në Kosovë, përderisa Kosova nuk ka mundur të eksportojë në Serbi dhe përmes Serbisë në Bashkimin Evropian. Prandaj, Qeveria e Kosovës ka qenë e përkushtuar dhe e vendosur që të zbatohen masat e reciprocitet në të gjitha pikat kufitare”, ka thënë Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj po ashtu ka theksuar se Policia e Kosovës nuk ka ushtruar dhunë në veri, por kanë qenë strukturat ilegale të Serbisë brenda për brenda territorit të Kosovës, të cilat kanë bllokuar rrugët dhe kanë ushtruar dhunë brenda territorit të Republikës së Kosovës.

“Nuk mund të ketë stabilitet, qetësi në veri të vendit pa shuarjen e plotë të strukturave ilegale shtetërore serbe, që janë struktura paramilitare të sigurisë dhe të policisë së shtetit serb ”, ka thënë Ministri Hoxhaj.

Në të gjitha këto çështje, Ministri Hoxhaj ka marr përkrahjen e pakursyer nga shteti francez.

Me këtë rast, Ministri francez i Punëve të Jashtme, Alain Juppé, ka mbështetur progresin që ka pas Republika e Kosovës në të gjitha fushat e zhvillimit politik, ekonomik dhe social. 

Juppé ka përgëzuar Ministrin Hoxhaj dhe Qeverinë e Kosovës për njohjet e fundit që kanë ardhur në adresë të Prishtinës, në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.

“Franca mbështet Kosovën në vullnetin e saj për konsolidimin dhe legjitimitetin ndërkombëtar. Vala e vrullshme e njohjeve të reja në këtë drejtim ishin shumë inkurajuese”, ka thënë Juppé.

Ai ka siguruar Ministrin Hoxhaj se Franca mbetet një vend mik dhe partner i fuqishëm i Kosovës si dhe ka treguar mirëkuptim të plotë për sundim të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

“Në sytë e Francës, integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i panegociueshëm”, ka shtuar Juppé.

Ministri Juppé po ashtu ka thënë se Republika e Kosovës ka të ardhme evropiane dhe ai personalisht është i angazhuar në marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave për kosovarët si dhe në vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Evropian.

Ministri Hoxhaj gjatë qëndrimit në Francë, do të ketë takime me shumë personalitete tjera të jetës politike, publike dhe diplomatë të shteteve që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.