Hoxhaj: Lidhjet e Kosovës me SHBA-të janë të shenjta
Prishtinë, 2 gusht - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, priti në takim Zëvendësambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Kelly Degnan.
Ministri Hoxhaj i ka uruar Zëvendësambasadores Degnan, detyrën e re në Prishtinë, si dhe e ka njoftuar me zhvillimet në Kosovë dhe progresin e vazhdueshëm që po arrihet në të gjitha sferat.
Hoxhaj ka shprehur mirënjohjen e qytetarëve dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për përkrahjen e gjithanshme që SHBA-të kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin për Kosovën, duke theksuar se lidhjet SHBA-Kosovë janë të shenjta dhe se do të mbesin të tilla përherë.
Ai ka njoftuar Zëvendësambasadoren amerikane edhe për heqjen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, për procesin e fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar, përmbylljen e procesit të njohjeve si dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata të rëndësishme ekonomike, financiare dhe politike në nivel rajonal dhe global.
Kosova, historikisht, gjeografikisht dhe në aspektin kulturor çdo herë ka qenë një vend evropian dhe qëllim i jonë afatshkurtër dhe afatgjatë është anëtarësimi në strukturat euroatlantike, në Bashkimin Evropian dhe në NATO, ka thënë Ministri Hoxhaj.
Ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu e ka informuar Zëvendësambasadoren Degnan edhe për punën dhe aktivitetet e tjera të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.