Hoxhaj: Krenarë për rolin e Kosovës në mbrojtje të hebrenjve
Prishtinë, 12 maj - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka takuar mbrëmë përfaqësues të komunitetit hebre nga Ballkani, të cilët gjatë ditës së djeshme kanë qëndruar në Republikën e Kosovës, në kuadër të një konference të mbajtur në Prizren.
Ministri Hoxhaj ka thënë se komuniteti hebre ka qenë pjesë e rëndësishme e së kaluarës së Kosovës dhe është pjesë vitale e shoqërisë shumëtnike dhe shumëkulturore në Kosovë.
Ne jemi shumë krenarë për rolin që kishte populli i Kosovës në mbrojtje të komunitetit hebre në periudha të rënda të historisë dhe jemi shumë krenarë që sot hebrenjtë janë pjesë e procesit të shtetndërtimit të Kosovës, e cila është ndërtuar mbi tre parime të mëdha: demokracia, multietniciteti dhe sekularizmi, ka thënë Hoxhaj.
Gjatë pritjes së delegacionit nga shtete të ndryshme të Ballkanit dhe Izraelit, Hoxhaj po ashtu ka theksuar se Qeveria e Kosovës është e vendosur në promovimin e fuqishëm të identitetit hebre në Kosovë si dhe në avancimin e pozitës së tyre përmes mbrojtjes ligjore në shtetin e Kosovës.
Ai ka vlerësuar lartë vizitën e këtij delegacioni, duke thënë se përbën një kthesë për komunitetin hebre në Prizren dhe në Kosovë.
Me këtë rast, Hoxhaj ka falënderuar kryetarin e Shoqatës së Komunitetit të Hebrenjve në Kosovë, Votim Demiri, për punën e madhe dhe të palodhshme që ka bërë në Kosovë dhe që është një adresë e fuqishme e prezantimit të identitetit dhe kulturës hebreje në Kosovë.