19 Janar 2025

Hoxhaj: Krenar me rolin e Kosovës në mbrojtje të hebrenjve

Prishtinë, 27 janar – Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Kosova është shumë krenare që komuniteti hebre është pjesë e Republikës së Kosovës, është pjesë e shoqërisë, e institucioneve të saj dhe se populli i Kosovës në një fazë të caktuar historike ka qenë pranë këtij komuniteti.
 
Në akademinë përkujtimore të organizuar në Prishtinë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, ministri Hoxhaj ka thënë se qëndrimi i popullit të Kosovës karshi hebrenjve është pjesë e traditës së tolerancës dhe bashkëjetesës, e cila ka qenë e fuqishme edhe në Luftën e Dytë Botërore, por e cila është e fuqishme edhe sot e kësaj dite.
 
“Populli i Kosovës në atë kohë, por edhe qytetarët e sotshëm të Kosovës asnjëherë nuk kanë pasur një ideologji antisemite, e cila fatkeqësisht ka qenë e përhapur në disa vende të Ballkanit. Një moment i dytë që e bën të qartë relacionin e Kosovës me popullin hebre, me shtetin e Izraelit, dhe me diasporën hebraike është situata e viteve 1990. Kanë qenë gazetarë, kanë qenë shumë aktivistë të të drejtave të njeriut, kanë qenë shumë politikanë ata të cilët kur filloi shpërbërja e Jugosllavisë, gjegjësisht pjesëtarë të diasporës hebraike në SHBA dhe në Evropë, të cilët jo vetëm që e mbështetën popullin e Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci, por të cilët në vitin 1998-99 kanë qenë pjesa më motorike që ndalën spastrimin etnik gjatë kohës që ndodhë intervenimi ushtarak i NATO-së, që populli i Kosovës ta fitojë lirinë e tij”, deklaroi ministri Hoxhaj, para të pranishmëve në këtë akademi.

Hoxhaj po ashtu theksoi se vitin e kaluar Qeveria e Republikës së Kosovës me iniciativë të MPJ-së pati inauguruar memorialin për viktimat e hebrenjve në Kosovë.
 
“Sot jemi mbledhur që ta kujtojmë Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit, dhe të gjitha këto flasin që ne duhet të jemi të vendosur që ngjarjet e tilla tragjike të mos përsëriten në të ardhmen as në Evropë, as jashtë saj. Ne jemi shumë krenar që komuniteti hebre është pjesë e Republikës së Kosovës, është pjesë e shoqërisë, e institucioneve tona dhe jemi krenar që në një fazë të caktuar historike kemi qenë pranë këtij komuniteti”, tha ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Peter Blomeyer, në fjalën e tij ka thënë se është obligim i të gjithëve që të parandalohen krime të atilla në të ardhmen, si dhe se represioni i mundshëm, gjenocidi, sikur krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës, duhet të parandalohen.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)