05 Maj 2024

Hoxhaj: Kosova po ndërton institucione me standarde të Nato

New York, 24 shtator - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka marrë pjesë në takimin e Iniciativës për Siguri dhe Paqe në Ballkan, që është organizuar në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.

Në këtë takim që zhvillohet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve anëtare të kartës së Adriatikut ‘US-Adriatic Charter (A5)’ kanë marrë pjesë pothuajse të gjithë ministrat e Punëve të Jashtëm të rajonit: Shqipërisë, Malit të Zi, Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Maqedonisë, me përjashtëm të Serbisë.

Shtetet e Bashkuara në këtë takim janë përfaqësuar nga Philip Reeker, Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi.

Në fjalimin e tij para të pranishmëve, Ministri Hoxhaj ka falënderuar NATO-n për mbështetjen që i ka dhënë popullit të Kosovës dhe garantimit të paqes në Ballkan.

Ministri Hoxhaj ka theksuar se Republika e Kosovës ndan me të gjitha shtetet e rajonit vlerat e përbashkëta euroatlantike, siç janë demokracia, paqja, stabiliteti dhe zhvillimi ekonomik.

“Ne si shteti më i ri në rajon dhe Evropë kemi këto vlera të përbashkëta dhe jemi faktor paqeje në rajon. Jemi të angazhuar që të bëhemi pjesë e A5, që të përfitojmë nga eksperienca e shteteve të sapo anëtarësuara në NATO dhe vendeve aspirante”, ka vlerësuar ai.
Ministri Hoxhaj ka potencuar se Republika e Kosovës është shumë e vendosur që përmes bashkëpunimit regjional të merr pjesë në të gjitha iniciativat dhe mekanizmat rajonal të sigurisë.

Duke folur për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Hoxhaj ka thënë se Republika e Kosovës është e përkushtuar në ndërtimin e institucioneve të sigurisë me standarde të NATO-së si dhe në profesionalizimin e FSK-së.

“Është synim i Republikës së Kosovës që të jemi pjesë e Partneritetit për Paqe dhe anëtar i NATO-s, derisa  FSK-ja është e përgatitur dhe e gatshme që të marr pjesë në të gjitha misionet ushtarake dhe humanitare në botë”, ka thënë ai.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, në këtë forum ka kërkuar ndihmën e shteteve anëtare të NATO-s për pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në NATO dhe në Partneritetin për Paqe.

Karta e Adriatikut është një nismë rajonale e suksesshme që thekson synimin e integrimit të plotë të shteteve të rajonit në NATO dhe në institucionet euroatlantike dhe që bazohet në frymën e Kartës SH.B.A.-Karta e Baltikut, e vitit 1998.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)