19 Janar 2025

Hoxhaj: Kosova në listën e vendeve të sigurta të Francës

Prishtinë, 10 janar – Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur të premten në takim ambasadoren e Francës në Kosovë, Maryse Daviet.

Pas takimit, ministri Hoxhaj ka çmuar lart mbështetjen e madhe të Francës për Kosovën, duke veçuar përkrahjen që po jep shteti francez në njohjen ndërkombëtare, në anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme rajonale dhe evropiane.

Hoxhaj bëri të ditur se ky takim ishte i veçantë pasi që ambasadorja Daviet e ka informuar me vendimin që ka marrë Franca më 28 dhjetor të vitit 2013, që Republikën e Kosovës ta rangojë në listën e vendeve të sigurta, duke theksuar se ky rangim duhet të kuptohet në tre dimensione.

“Dimensioni i parë flet për atë që Republika e Kosovës është një vend ku sundon ligji, është vend demokratik dhe ku respektohen liritë themelore, liritë në të gjitha dimensionet e saj duke përfshirë edhe liritë e të drejtave të njeriut. Së dyti, rangimi i Kosovës në listën e vendeve të sigurta flet për atë që Kosova do të ketë një agjendë tjetër në procesin e liberalizimit të vizave, por në të njëjtën kohë nuk ka nevojë që qytetarët e Kosovës të bëjnë përpjekje që të aplikojnë për azil në Francë, meqë kërkesat e tilla për azil nuk do të pranohen. Dhe dimensioni i tretë është që rangimi i Kosovës si vend i sigurt flet për imazhin që Franca, qytetarët dhe institucionet e saj e kanë për Kosovën dhe për progresin që ka arritur Republika e Kosovës. Padyshim se është një lajm  i madh për Republikën e Kosovës dhe për relacionet ndërmjet Francës dhe Kosovës”, deklaroi ministri Enver Hoxhaj.

Ambasadorja e Republikës së Francës në Kosovë, Maryse Daviet, u shpreh e kënaqur që Qeveria franceze ka marrë vendim që ta vendos Kosovën në listën e shteteve të sigurta, duke theksuar se kjo do të thotë se Franca e vlerëson Kosovën shtet me demokraci të plotë, të sigurt për të gjithë qytetarët.

“Pra, qytetarët e Kosovës mund të pajisen me viza legale për të vizituar Francën, por nuk mund të aplikojnë për azil politik, sepse kërkesat e tilla do të refuzohen. Ky rangim është lajm i mirë për Kosovën, për vendin tim dhe gjithashtu është lajm i mirë edhe për qytetarët e Kosovës”, tha ambasadorja Daviet, duke vlerësuar lart edhe bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve dhe angazhimin e institucioneve të Kosovës në këto proces

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)