20 Janar 2025

Hoxhaj: Kosova ka rolin e saj si udhëheqëse në lehtësimin e dialogut ndërfetar

Prishtinë, 23 Maj - Mbi 150 mysafirë nga afërsisht 50 shtete do të mblidhen në qytetin historik të Prizrenit nga 23 deri më 25 maj në konferencën e dytë vjetore ndërfetare që shënon fillimin e Javës së Tolerancës dhe Pajtimit në Kosovë, e cila do të realizohet nga 23 deri më 30 maj.

Respekti i vazhdueshëm dhe mirëkuptimi ndërmjet komuniteteve është prioritet për Kosovën duke u bazuar në historinë e gjatë të diversitetit fetar në vend të asaj të konfliktit të fundit.

Pas suksesit të konferencës së vitit të kaluar në Pejë, konferenca e dytë vjetore për dialog ndërfetar do të jetë pikëtakimi i udhëheqësve fetarë, diplomatëve, juristëve, udhëheqësve të OJQ-ve, akademikëve, shoqërisë civile si dhe përfaqësuesve të medieve ndërkombëtare.

Konferenca titullohet “Feja dhe politika: Përforcimi i dialogut ndërfetar me qëllim të zhvillimit demokratik”, ku pjesëmarrësit do të kontribuojnë në debatin e vazhdueshëm mbi rolin e fesë dhe dialogut ndërfetar në sferat publike të shoqërive bashkëkohore gjatë rrjedhës së kësaj ngjarje dy ditore që do të mbahet në Hotel “Theranda”.

Punimet e konferencës do të hapen nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga në mbrëmjen e të Premtes, 23 maj. Presidentja pritet të flasë lidhur me angazhimin e vazhdueshëm të Kosovës për harmoni në mes komuniteteve të ndryshme.

Ndër të tjera presidentja Jahjaga tha: “Për të hartuar rrugën tonë drejt krijimit të një Kosove që do të jetë shtëpi për të gjithë qytetarët e saj ne nuk duhet të shikojmë shumë larg. Pika jonë e referimit ishte dhe është tradita jonë e multikulturalizmit që ka karakterizuar peizazhin e Kosovës për shekuj me radhë\".


Lidhur me konferencën që fillon sot pasdite, Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, tha:

“Kam kënaqësinë t’iu uroj mirëseardhje liderëve dhe praktikuesve fetarë  ndërkombëtar për të marrë pjesë në këto debate të rëndësishme për rolin e fesë dhe politikës. Kosova mbetet e vendosur për të demonstruar rolin e saj si një udhëheqëse në lehtësimin e dialogut ndërfetar jo vetëm në mesin e komuniteteve të saj fetare, por edhe të rajon e më gjerë, si një pjesëmarrëse aktive në komunitetin global”.

Ministri Hoxhaj do të mbaj një fjalim para pjesëmarrësve të konferencës të shtunën më 24 maj.

Udhëheqësit e besimeve nga të gjitha komunitetet e ndryshme të Kosovës, duke përfshirë Myftiun Naim Tërrnava dhe Atin e Kishës Ortodokse Serbe janë të ftuar gjithashtu të mbajnë fjalime hyrëse në hapje të konferencës të Premten mbrëma. Përfaqësuesi i komunitetit hebre në Kosovë, Votim Demiri, do të lexojë një letër dërguar konferencës nga Kryerabini i Izraelit.

Konferenca është organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës me përkrahjen e donatorëve ndërkombëtarë dhe partnerë nga shoqëria civile.

Konferenca gëzon përkrahjen e shumë partnerëve duke përfshirë Fondacionin e Mirëbesimit Tony Blair (Tonny Blair Fiath Foundation), Komunitetin Shën Egjidio, Ambasadat Amerikane dhe Norvegjeze në Kosovë, Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Këshillin Britanik në Kosovë dhe Zyrën e Presidentes së Kosovës.

Do të marrin pjesë mysafirë të rëndësishëm si Kardinali Renato Raffaele Martino, Kardinali Deacon në Vatikan, Budimir Loncar, ish-Ministër i Punëve të Jashtme i Jugosllavisë dhe Faisal Bin Abdul Rahman Bin Muaammar, Sekretar i Përgjithshëm i Qendrës për Dialog  Ndërkulturor dhe Ndër fetar i Mbretit Abdullah Bin Abdulaziz.

Kjo ngjarje e rëndësishme dhe inauguruese gjithashtu shënon fillimin e një serie të aktiviteteve gjatë Javës së Tolerancës dhe Pajtimit për të promovuar dialogun e vazhdueshëm dhe mirëkuptimin në Kosovë dhe më gjerë.

Këto aktivitete përfshijnë promovimin e librit “Shkatërrimi i trashëgimisë islame në Luftën e Kosovës 1998- 1999” në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës më 27 Maj dhe një ligjëratë publike nga Madhëria e Tij Princ Ghazi Bin Muhammad i Jordanisë në temën “Kur’Ani dhe Dashuria” më 29 Maj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)