Hoxhaj: Kosova faktor i rëndësishëm në fuqizimin e bashkëpunimit rajonal
Prishtinë, 29 janar Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur të mërkurën udhëheqësin e Divizionit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Hans-Ulrich Südbeck, i cili shoqërohej nga ambasadori gjerman në Prishtinë, Peter Blomeyer.
Ministri Hoxhaj e njoftoi z. Südbeck për progresin në Kosovë, fuqizimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar.
Hoxhaj veçoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për përmbushjen e agjendës integruese evropiane, si dhe angazhimin e diplomacisë kosovare për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, evropiane e rajonale, në kuadër të agjendës multilaterale.
Gjatë takimit, ministri Hoxhaj ka shprehur mirënjohje për përkrahjen e madhe që diplomacia dhe shteti gjerman në përgjithësi po japin për forcimin dhe konsolidimin e shtetësisë së Kosovës.
Ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu theksoi angazhimin e vazhdueshëm dhe rolin e rëndësishëm të Republikës së Kosovës për fuqizimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor, duke e vlerësuar shumë të rëndësishme në këtë rrugë përkrahjen e Gjermanisë.
Udhëheqësi i Divizionit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Hans-Ulrich Südbeck, vlerësoi progresin e arritur në Kosovës si dhe qasjen konstruktive të Kosovës në fuqizimin e bashkëpunimit rajonal.
Südbeck po ashtu shprehu mbështetjen e mëtutjeshme të Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë për Republikën e Kosovës.
Gjatë takimit, Hoxhaj dhe Südbeck po ashtu vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, duke theksuar vullnetin për avancimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.