Hoxhaj: Kosova aplikon këtë vit në Këshillin e Evropës
Prishtinë, 28 mars Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka paralajmëruar sot se Republika e Kosovës brenda këtij viti do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës pasi plotëson kriteret politike dhe teknike.
Këtë qëndrim, ministri Hoxhaj e ka dhënë në tryezën me temën Integrimi i Kosovës në strukturat euro-atlantike: rruga drejt Këshillit të Evropës, organizuar nga Shkolla Politike e PIPS-it.
Ministri Hoxhaj ka thënë se mos anëtarësimi i Kosovë në KE është shkelje e të drejtave të njeriut, cenim i integritetit të qytetarëve të Kosovës dhe është kundër parimeve pse është themeluar KE. Dua tiu rikonfirmojë juve se përkundër krejt pengesave, përkundër këtij peizazhi kompleks që ne e kemi në Prishtinë dhe në Strasburg, ne do të aplikojmë në vitin 2014 për anëtarësim në KE, ka deklaruar ai.
Me këtë rast, ministri Hoxhaj ka bërë me dije se Kosova e ka të gatshëm një studim dhe një aplikim si dhe 2-3 skenarë sesi do të dukej anëtarësimi i Kosovës në KE.
Ndërkohë që ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare nuk është akt, por është një proces që merr disa vite. Por siç është shprehur ministri Hoxhaj përpjekjet e tyre për të penguar anëtarësimin e Kosovës në KE do të tejkalohen.
Në një rrafsh afatshkurtër po flas për vitin 2014 pranimi i Kosovës në KE kundërshtohet fuqishëm nga Rusia, disa vende pos sovjetike por edhe nga vet Serbia. Dhe këtu ka pasur disa lëvizje muajve të fundit të cilat ne i kemi ndjekur me vëmendje të madhe, ka deklaruar ministri Hoxhaj.
Fakt të rëndësishëm në këtë proces Hoxhaj e ka cilësuar edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shumica e shteteve anëtare të KE-së si dhe të Asamblesë Parlamentare.
Përveç kësaj ministri ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në KE do tiu mundësonte qytetarëve të Kosovës të drejtën që të ngritin padi për shqetësimet e tyre pranë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg si dhe të përdorin mbështetjen e Komisionit Kundër Torturimit dhe Trafikimit apo ta përdornin mbështetjen e Komisionit të Venedikut.
Duke e vlerësuar të rëndësishëm organizimin e kësaj tryeze përmes të cilës kontributin e tyre në këtë proces mund ta jap edhe shoqëria civile ministri Hoxhaj ka shtuar se viti 2014 për MPJ-në është vit i diplomacisë multilaterale që është vit i qëllimeve më të rëndësishme që ka politika e jashtme.
Në këtë tryezë kanë folur edhe Nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Hydajet Hyseni, Gjyljeta Mushkolaj, ish-anëtare e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe Dren Doli, drejtor i Hulumtimeve nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.
Nga ana tjetër drejtoresha e PIPS-it, Leonora Kryeziu, duke folur për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në KE, ka theksuar se Kosova nuk mund të mbetet vendi i vetëm jashtë këtyre strukturave dhe jashtë mundësive në atë që e ofron Këshilli i Evropës në avancimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.