16 Janar 2025

Hoxhaj: Koha e fundit që Serbia t’i shpërbëjë strukturat ilegale

Berlin, 19 shkurt - Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj në një intervistë për “EurActiv.de” ka thënë se ka ardhur koha që Serbia t’i shpërbëjë strukturat e policisë, të sigurisë dhe ato paramilitare në tri komunat e veriut të Kosovës.
 
Sipas tij, kjo është tema kryesore që do të diskutohet sot në Bruksel nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit dhe kryeministri i Republikës së Serbisë, Ivica Dacic.

“Takimi i sotshëm do të merret sidomos me çështjen, se si Serbia do t’i shpërbërje strukturat e policisë dhe sigurisë në tri komunat e veriut të Kosovës. Prandaj, takimi është shumë i rëndësishëm, sepse ndërlidhet drejtpërdrejt me stabilitetin dhe sigurinë brenda Kosovës, por edhe me tërë arkitekturën e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan”, ka thënë Hoxhaj.

Kryediplomati kosovar, ka theksuar se muaji mars dhe prill do të jenë historik për Kosovën dhe Serbinë, por edhe për Ballkanin.

“Serbia së fundi ka kuptuar, që asgjë nuk mund të lëviz drejt integrimeve evropiane, derisa Serbia nuk do të ketë marrëdhënie fqinjësore me Kosovën”, ka shtuar ai.

Duke folur për ofertën e Prishtinës për komunitetin serb në tri komunat e veriut të Kosovës, Hoxhaj ka thënë se e vetmja kornizë për integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës është Pakoja e Ahtisaarit.

“Do të isha i lumtur sikur do të kishte një minoritet në Evropë, i cili ka të drejta kaq të gjëra siç kanë serbët në Kosovë. Prandaj, Pakoja e Ahtisaarit është korniza e vetme, e cila do të mundëson integrimin e tri komunave të veriut të Kosovës”, ka paralajmëruar Hoxhaj.

Ai ka fol edhe për pesë shtetet e Bashkimit Evropian, të cilat po hezitojnë të njohin pavarësinë e Kosovës. Hoxhaj ka thënë se këto shtete nuk janë duke e bllokuar të ardhmen evropiane të Kosovës dhe se janë mbështetëse të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

“Këtë dialog e mbështesin të gjitha shtetet anëtare të BE-së, duke përfshi edhe shtetet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Meqë Serbia është duke e trajtuar Kosovën si një shtet dhe që “de facto” e njeh Kosovën, atëherë edhe këto pesë shtete “de jure” mund ta njohin pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)